• e mërkurë, 21 janar 2026

Stiven Miler, zëvendësshef i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë: Askush nuk do të luftonte kundër SHBA-së për Grenlandën

Stiven Miler, zëvendësshef i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë: Askush nuk do të luftonte kundër SHBA-së për Grenlandën

Uashington, 6 janar 2026 (MIA) - Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë dje i përshkroi pohimet e SHBA-së për kontroll të Grenlandës si "një qëndrim formal të qeverisë amerikane", ndërsa përjashtoi mundësinë e një konflikti ushtarak mbi ishullin Arktik, informon DPA.

I pyetur nga CNN nëse Uashingtoni do të përjashtonte përdorimin e forcës për të marrë Groenlandën, Stiven Miller, zëvendësshef i kabinetit të presidentit amerikan Donald Tramp, tha: "Askush nuk do të luftojë ushtarakisht kundër SHBA-së për të ardhmen e Grenlandës".

Ai deklaroi se ishulli duhet të jetë pjesë e SHBA-së, duke shtuar se Trampi e ka bërë të qartë qëndrimin e tij që kur mori detyrën gati një vit më parë. Miler argumentoi se si fuqi kryesore ushtarake e NATO-s, SHBA-së i duhet kontroll mbi Grenlandën për të siguruar rajonin e Arktikut.

Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje sovranitetin e Danimarkës mbi territorin, duke pyetur se mbi çfarë baze ligjore Grenlanda i përket Danimarkës dhe pse ishulli duhet të mbetet një "koloni e Danimarkës".

Grenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, por në masë të madhe autonome dhe nuk është anëtare e BE-së. Në aspekt strategjik është e rëndësishme për pasurinë e saj me lëndë të para dhe si bazë për kontrollin ushtarak të Arktikut.

Trampi ka thënë vazhdimisht se SHBA duhet ta kontrollojë Grenlandën për shkaqe sigurie kombëtare, një qëndrim që ai e përsëriti gjatë fundjavës. Të shtunën, madje një postim në mediat sociale nga ish këshilltarja e qeverisë Kejti Miler, gruaja e Stiven Milerit, tregoi një hartë të Grenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan shoqëruar me fjalën "SË SHPEJTI".

Foto: Printskrin nga Si-En-En

QËNDRONI TË LIDHUR