• e enjte, 26 dhjetor 2024

Stano: Propozimi i ri i BE-së për formimin e AKS është i balancuar

Stano: Propozimi i ri i BE-së për formimin e AKS është i balancuar

Beograd, 6 nëntor 2023 (MIA)- Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, theksoi se në mbledhjen e fundit në Bruksel me liderët e Beogradit dhe Prishtinës, BE-ja dha propozim të "balancuar" për formimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë treguar gatishmërinë e tyre “parimore” për ta pranuar atë propozim, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

"Kjo do e avancojë procesin e normalizimit dhe do e lehtësojë rrezikun nga eskalimi i dhunës së re. Në takim palët treguan gatishmërinë parimore për ta pranuar këtë propozim evropian, por të dyja kishin parakushte që kanë qenë të papranueshme për palën tjetër", tha Stano, njofton RTK.

Ai shtoi se pret që kjo gatishmëri të sjellë deri te implementimi pa vonesa të mëtejshme, duke theksuar se "parakushtet nuk janë të pranueshme".

Sipas tij, propozimi i BE-së nuk është publikuar sepse përpjekjet diplomatike janë në rrjedhë.

"Asnjëherë nuk transmetojmë dokumentet zyrtare për të cilat bisedohet, siç është praktikë e zakonshme në ndërmjetësimin ndërkombëtar. Është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjen e supozuar të informatave ose raporteve mediatike që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin", shtoi Stano.

Ai theksoi "se të dyja palët do të vlerësohen në bazë të arritjeve të tyre individuale rreth zbatimit". ss/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR