• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Stano: Me Samitin e BRIKS-it, Rusia përpiqet të tregojë se nuk është e izoluar ndërkombëtarisht

Stano: Me Samitin e BRIKS-it, Rusia përpiqet të tregojë se nuk është e izoluar ndërkombëtarisht

Bruksel, 23 tetor 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian dënon përpjekjen e Rusisë ta keqpërdorë kryesimin me organizatën BRIKS që të bëjë përpjekje të tregojë se më nuk është e izoluar  në nivel global, tha sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Peter Stano në lidhje me Samitin e BRIKS-it që mbahet në qytetin rus Kazan.

"Rusia po përpiqet ta kthejë kredibilitetin e saj të humbur", theksoi Stano, duke shtuar se nikoqir i Samitit është presidenti rus Vladimir Putin kundër të cilit është lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për shkak të dyshimit për krime lufte.

Në lidhje me pjesëmarrjen e sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh në takim, Stano theksoi se BE-ja me të vërtetë pret dhe beson se ai në Kazan do të përpiqet t'i riafirmojë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për ta bindur Putinin ta ndalë agresionin ilegal ndaj Ukrainës.

"Besojmë se ai do të forcojë apelin ndaj Rusisë dhe Putinit për të ndaluar plotësisht dhe pa kushte agresionin brutal kundër popullit ukrainas dhe për të tërhequr menjëherë dhe pa kushte forcat e tyre ushtarake nga Ukraina dhe nga territori ukrainas, siç është kërkuar tashmë në rezolutat e shumta të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së", vuri në dukje Stano.

Në lidhje me praninë e liderëve dhe përfaqësuesve të vendeve të tjera, duke përfshirë edhe vendet e Partneritetit Lindor të BE-së, në Samitin e Kazanit, Stano theksoi se Bashkimi Evropian ka partneritetet e veta individuale dhe ka bashkëpunim shumë të mirë komunikues me shumë prej tyre.

"Ne vetëm mund t'u themi dhe mund t'u theksojmë vetëm atë që dinë. Megjithatë, Putini është në krye të një vendi që kryen agresion kundër vendeve fqinje, duke e bërë Rusinë një vend që shkel qartë Kartën e KB-së dhe ligjin ndërkombëtar", tha Stano.

Ai shtoi se të gjitha këto vende i ndjejnë vetë pasojat negative të agresionit rus në Ukrainë, kryesisht nëpërmjet rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

"Besojmë se të gjithë pjesëmarrësit e samitit në Kazan do ta shfrytëzojnë këtë ngjarje për të bërë thirrje edhe një herë për t'i dhënë fund luftës kundër popullit ukrainas dhe respektimin e parimeve të Kartës së KB-së dhe të drejtës ndërkombëtare", shtoi zëdhënësi i KE-së.

Duke iu referuar konkretisht pjesëmarrjes së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në tubim, Stano theksoi se çdo lider ka të drejtë të udhëtojë ku të dojë, por vendet kandidate për në BE, përfshirë Turqinë, duhet të respektojnë përpjekjet e Unionit për të izoluar Rusinë.

Ai theksoi se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj nevojës për të arritur një paqe të drejtë dhe korrekte për Ukrainën, në përputhje me Kartën e KB-së dhe duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e saj. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR