• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Stano: Mbyllja e filialeve të “Postës Serbia” në veri të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjet nga dialogu

Stano: Mbyllja e filialeve të “Postës Serbia” në veri të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjet nga dialogu

Bruksel, 6 gusht 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian e konsideron si hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar mbylljen e djeshme të nëntë filialeve të "Postës Serbia" në veri të Kosovës nga autoritetet e Kosovës, sepse me marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës për telekomunikacionet nga viti 2013, është parashikuar çështja për shërbimet postare të zgjidhet “në një fazë të mëvonshme” të bisedimeve, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Peter Stano.

"Kjo do të thotë se është paraparë një dialog për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Fatkeqësisht, ajo që bënë dje autoritetet e Kosovës është absolutisht plotësisht e pakoordinuar dhe paraqet një veprim absolutisht të njëanshëm, i cili ka pasoja shumë negative për popullin e veriut të Kosovës, shtoi Stano në përgjigje të pyetjes së një gazetari se pse BE-ja në reagimin e djeshëm e vlerësoi këtë veprim si të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Sipas Stano, veprimi i djeshëm i autoriteteve të Kosovës është i drejtuar kundër dialogut Beograd-Prishtinë dhe paraqet shkelje të obligimeve të dakorduara.

"Nga e kaluara e dimë se cilat janë rezultatet e veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe pasojat e tyre negative ndaj popullatës", shtoi zëdhënësi i KE-së.

Në pyetjen se me çfarë pasoja mund të përballet Prishtina për shkak të veprimit të djeshëm, Stano u përgjigj se BE-ja ka theksuar qartë në kumtesën e djeshme se çka pret nga administrata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

"Masat që u morën kundër Kosovës vitin e kaluar janë reflektim i hapave që çojnë në përshkallëzim. Tani po shohim hapa të mëtejshëm të njëanshëm, veprime të mëtejshme të pakoordinuara, që çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm. Besoj se ata që i marrin ato vendime në Prishtinë duhet ta kuptojnë këtë shumë qartë!, shtoi Stano.

Duke vlerësuar se veprimi i djeshëm paraqet shkelje të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë, BE-ja në reagimin e djeshëm theksoi se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që është pjesë e procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa pasur marrëveshje të re paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti. BE-ja është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut. BE-ja pret që palët të propozojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje, vlerëson BE-ja në reagimin, duke i bërë thirrje gjithashtu Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë zgjidhje për këtë çështje përmes negociatave në kuadër të dialogut që udhëhiqet me ndërmjetësimin e BE-së. ls/

Foto; Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR