• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Stano: BE-ja pret që Prishtina dhe Beogradi të parandalojnë përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës

Stano: BE-ja pret që Prishtina dhe Beogradi të parandalojnë përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës

Bruksel, 17 qershor 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian pret nga autoritetet kosovare të ndërmarrin masa për qetësim të situatës në veri të Kosovës, por në të njëjtën kohë këtë e pret edhe nga pala serbe, deklaroi kryezëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Piter Stano.

"Të dyja palët kanë për detyrë që të bëjnë gjithçka që munden bashkë me aleatët e tyre, satelitë dhe partnerë që të parandalojnë çfarëdo lloj forme të përshkallëzimit", theksoi Stano në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve për qëndrimin e BE-së rreth konfiskimit të armës dhe uniformave serbe nga ana e policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës.

Stano theksoi se nëse BE-ja sheh përshkallëzim të mëtutjeshëm, atëherë nuk do të mbetet vetëm në deklarata verbale, por do të ndërmarrë edhe masa konkrete që ta parandalojë ciklin e vazhdueshëm të përshkallëzimit të tensioneve dhe t'i detyrojë Prishtinën dhe Beogradin që të kthehen në dialog dhe të punojnë në zbatimin e marrëveshjeve të arritur. 

"BE-ja është e shqetësuar për gjendjen në veri të Kosovës, sepse gjatë periudhës së kaluar, me muaj shohim veprime të njëanshme, të pakoordinuara, që çojnë deri në përshkallëzim të situatës. Përshkallëzimi i vazhdueshëm është shkaku pse BE-ja vendosi masa resktriktive drejt Kosovës", shtoi Stano.

I pyetur se kur mund të presim raportin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borel, për situatën në Kosovë, pas çka do të merret vendim i mundshëm për heqjen e këtyre sanksioneve të Unionit ndaj Prishtinës, Stano tha se për për momentin ai nuk do të donte të spekulonte me disa afate kohore.

"Përfaqësuesi i lartë do t'ua dorëzojë raportin shteteve anëtare dhe shtetet anëtare do të jenë të parat që do të dinë se kur ndodh kjo dhe çfarë përmban. Kjo nuk ka ndodhur ende", deklaroi Stano, duke kujtuar se Boreli po përgatit raportin pikërisht me kërkesë të Këshillit të BE-së.

Sipas Stanos, kur raporti do të dërgohet në Këshill, ai do të sjellë vendim adekuat, pas çka përmbajtja e dokumentit dhe vendimet e marra do të informohen edhe autoritetet kosovare. fc/

Fotografia: Arkivi I MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR