• e enjte, 26 dhjetor 2024

Stano: BE apelon për përmbajtje maksimale nga të gjitha anët pas vrasjes së Haniasë

Stano: BE apelon për përmbajtje maksimale nga të gjitha anët pas vrasjes së Haniasë

Bruksel, 1 gusht 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian po i përcjell nga afër ngjarjet pas vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Hania, veçanërisht zhvillimet në Teheran, dhe u bën thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës, tha sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të jashtme dhe politikë të sigurisë, Peter Stano.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me qëndrimin e BE-së për vrasjen e Haniasë dhe kërcënimet e Iranit ndaj Izraelit, Stano kujtoi se lëvizja Hamas është në listën e organizatave terroriste të BE-së dhe partnerëve të saj dhe se prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale kishte nxjerrë një urdhër për arrestimin e Haniasë me akuza të shumta për krime lufte.

"Megjithatë, Bashkimi Evropian ka një qëndrim parimor për të refuzuar vrasjet jashtëligjore dhe për të mbështetur sundimin e ligjit, duke përfshirë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe drejtësinë penale ndërkombëtare. Në kontekstin e situatës aktuale, ne përsërisim thirrjen e Bashkimit Evropian drejtuar të gjitha palëve për të treguar përmbajtje maksimale dhe për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm, pasi asnjë vend dhe asnjë komb nuk do të përfitojë nga përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës në Lindjen e Afërt dhe në rajonin më të gjerë", shtoi Stano.

Lidhur me praninë e Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme (EEAS), i ngarkuar për çështje politike, Enrike Mora, në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri iranian Masud Pezeshkian në Teheran, në, siç u theksua "shoqëri të terroristëve nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik”, Stano u përgjigj se BE-ja mbetet në politikën e saj të “angazhimit kritik” në marrëdhëniet me Iranin dhe se i gjithë qëllimi i vizitës së diplomatit evropian ishte që të përcillte këtë qëndrim të Unionit tek Administrata e re iraniane.

Sipas Stano, "angazhimi kritiki" nënkupton vënien në dukje të të gjitha mosmarrëveshjeve dhe vërejtjeve ndaj politikës së Iranit, por se kjo nuk do të thotë edhe ndërprerje e dialogut. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR