• e enjte, 26 dhjetor 2024

Stano: As Beogradi dhe as Prishtina nuk e konfirmuan mbërritjen në Bruksel

Stano: As Beogradi dhe as Prishtina nuk e konfirmuan mbërritjen në Bruksel

Bruksel, 19 qershor 2023 (MIA) - Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sot deklaroi se data e takimit ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti nuk është përcaktuar ende për shkak se asnjëra nga palët ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

“Nuk kemi asnjë informacion për këtë përveç disa vlerësimeve publike jo-konstruktive”. BE pret që të dyja palët ta pranojnë ftesën dhe të vijnë në bisedime për të kapërcyer situatën aktuale”, tha Stano në konferencën për shtyp.

Ai shtoi se gjetja e një rrugedaljeje nga situata në Kosovë është para së gjithash në interes të njerëzve që jetojnë atje dhe në Serbinë qendrore.

“BE po monitoron nga afër situatën dhe nëse ka dëshirë për zgjidhje apo eskalim të situatës. Ne kemi një takim të rregullt mujor të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së (FAC) të planifikuar për të hënën e ardhshme, ndërsa kjo çështje do të jetë në rendin e ditës, tha Stano.

Ai ka theksuar se ftesa në takimin e komisionerit evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borell, është një shans për Vuçiqin dhe Kurtin që të tregojnë konstruktivitetin dhe gatishmërinë e tyre për zgjidhjen e situatës.

“Ai takim nuk do të organizohet për të gëzuar Brukselin, por për të diskutuar për të ardhmen e popullit të Kosovës dhe Serbisë. Mungesa e interesimit sigurisht që do të sjellë pasoja që do të prekin qytetarët dhe përgjegjësia është ekskluzivisht e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq dhe askujt tjetër”, tha Stano

Ai tregoi se fatmirësisht nuk ka pasur eskalime të reja në ditët e fundit, por shtoi se nuk ka indikacione për deeskalim.

“Ne jemi këtu për t’i ndihmuar dhe për t’i këshilluar se si të qetësojnë situatën, por në fund ky vendim është në dorën e tyre”, tha Stano.

Ai shtoi se BE-ja aktualisht është e përqendruar në arritjen e një takimi midis Beogradit dhe Prishtinës, ku do të gjenden zgjidhje për deeskalimin e situatës dhe jo në hartimin e masave ndëshkuese.

“Sjellja e të dyja palëve do të monitorohet në dy takime të rëndësishme – takimin e Këshillit Evropian dhe takimin e ministrave të Punëve të Jashtme në Luksemburg të hënën dhe sigurisht që do të ndikojë në rrugën e mëtejshme evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por për momentin jemi të fokusuar për deeskalimin e situatës në terren dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”, përfundoi Stano. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR