Spanja propozon të shpallë gjuhën katalanase, baske dhe galike si gjuhë zyrtare të BE-së
- Këshilli Evropian do të diskutojë të martën miratimin e propozimit të Spanjës për të shpallur gjuhën katalanase, baske dhe galike si gjuhë zyrtare të BE-së.
- Post By Sara Ademi
- 10:52, 17 shtator, 2023
Bruksel, 17 shtator 2023 (MIA) - Këshilli Evropian do të diskutojë të martën miratimin e propozimit të Spanjës për të shpallur gjuhën katalanase, baske dhe galike si gjuhë zyrtare të BE-së.
Nisma për zyrtarizimin në nivel të BE-së të këtyre tre gjuhëve, të cilat janë në përdorim zyrtar në disa rajone të Spanjës, u lançua në fund të muajit të kaluar nga ministri i Jashtëm spanjoll Hoze Manuel Albarez, vendi i të cilit është kryesues aktual i Unionit.
Por sipas burimeve diplomatike në BE, shanset për miratimin e propozimit të martën janë të vogla, sepse disa shtete anëtare kanë shprehur shqetësimin për pasojat financiare dhe ligjore që do të sjellë një vendim i tillë, ku Suedia është e para që ka shprehur publikisht rezerva për nismën.
"Ne besojmë se pasojat ligjore dhe financiare të propozimit duhet të hetohen më thellësisht", theksoi Qeveria suedeze.
Një diplomat evropian për "Euraktiv" tha se një nismë e tillë duhet të vlerësohet me kujdes, duke shtuar se është "mjaft ambicioze" që të pritet një vendim për këtë çështje brenda dy javësh.
Por, ministrja në Presidencën Katalanase, Laura Villagra dhe Pons, tha se shqetësimi për rritjen e kostove të disa vendeve të BE-së është i ekzagjeruar, sepse, sipas saj, shërbimet e përkthimit përbëjnë një pjesë shumë të vogël të buxhetit të Unionit.
"Mjetet e përmirësuara të përkthimit në kompjuter dhe inteligjenca artificiale do të mundësojnë reduktime të konsiderueshme në kostot e përkthimit në vitet e ardhshme, thanë Villagra dhe Pons të mërkurën.
Ajo shtoi se "mbrojtja e të drejtave gjuhësore të miliona evropianëve nuk duhet të jetë objekt diskutimi ekonomik", duke theksuar se Katalonia është e gatshme të rrisë kontributin e saj me burime për këtë qëllim dhe shprehu besimin në angazhimin e qeverisë spanjolle për të ofruar mbështetje për një iniciativë të tillë.
Nisma e Spanjës shihet gjithashtu si një përpjekje e qeverisë aktuale të krahut të majtë të socialistit Pedro Sançez për të siguruar një shumicë parlamentare për të formuar një kabinet të ri koalicioni me mbështetjen e partive rajonale katalane, baske dhe galike, e cila ia doli në një farë mase me zgjedhjen e Fransina Armengol nga Partia Socialiste e Punëtorëve të Spanjës (PSOE) për kryetare të Dhomës së Ulët në Parlamentin spanjoll.
Puxhdemon tha se shpallja e katalanishtes një gjuhë zyrtare në BE do të ishte "hapi i parë i ndërtimit të besimit" për negociatat e mëtejshme me qeverinë spanjolle.
Si pjesë e negociatave për një qeveri të re, PSOE e Sançezit dhe partneri i saj i koalicionit, blloku i majtë i Bashkuar (Sumar), ranë dakord të mbështesin përdorimin e gjuhëve katalanase, baske, galike dhe të tjera rajonale në Parlamentin spanjoll. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s