SPAK kërkon nga Kuvendi t'ia marrë imunitetin zëvendëskryeministres Balluku, me qëllim të arrestimit të saj
- – Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), sot pasdite kërkoi nga Parlamenti shqiptar t’ia marrë imunitetin zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, që të mundësohet arrestimi i saj.
- Post By Fitore Curri
- 19:58, 16 dhjetor, 2025
Tiranë, 16 dhjetor 2025 (MIA) – Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), sot pasdite kërkoi nga Parlamenti shqiptar t’ia marrë imunitetin zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, që të mundësohet arrestimi i saj.
Më 31 tetor SPAK parashtroi akuzë kundër Ballukut, nën dyshimin për kundërvajtje të kryera gjatë ndarjes së tenderëve dhe korrupsionit në miliona euro.
Ajo ishte pezulluar nga detyrat zyrtare dhe i ishte ndaluar të largohet nga vendi, por vendimin e SPAK-ut për pezullimin e saj, pas ankesës së qeverisë, Gjykata Kushtetuese, të premten, e ndërpreu deri në “debatin e plotë më 26 janar”, pas çka ajo u kthye në detyrat e përditshme.
Sipas rregullave pozitive ligjore, në Shqipëri, një deputet edhe nëse zgjidhet anëtar i qeverisë nuk e humb mandatin e deputetit.
Për kërkesën e SPAK-ut reagoi kryeministri Edi Rama, i cili në Platformën Iks shkroi se arrestimet pa gjykime janë bërë “modë e vrazhdë në Shqipëri”, por, shton, se nuk mundet paraprakisht ta vlerësojë kërkesën.
“Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne nuk mund dhe nuk ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull nuk flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e reformës në drejtësi”, shkroi ai.
Reagoi edhe lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili në një shkrim në rrjetet sociale, shkruan se kryeministri “Rama po bën gjithçka që mundet që ta mbrojë, por populli do ta thotë fjalën e tij më 22 dhjetor” për kur opozita paralajmëroi protestë kombëtare. fc/
Foto: Sajti i SPAK-ut