• e hënë, 08 korrik 2024

Sot do të mbahet seancë e Këshillit të Sigurimit të KB-së për Kosovën

Sot do të mbahet seancë e Këshillit të Sigurimit të KB-së për Kosovën

Nju-Jork, 22 prill 2024 (MIA) - Në Nju-Jork sot do të mbahet seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar raportit gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të KB-së Antonio Guteresh për punën e UNMIK-ut,  ndërsa Kosovën dhe Serbinë do t'i prezantojnë presidentët Aleksandar Vuçiq dhe Vjosa Osmani.

Raportin e rregullt gjashtëmujor për punën e Misionit të KB-së në Kosovë do ta prezantojnë përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh dhe kryetarja e UNMIK-ut, Karolina Ziade.

Seanca do të fillojë në orën 10:00 me orën lindore, pra në orën 16:00 sipas kohës mesdhetare evropiane dhe do të hapet nga kryetarja e Këshillit të Sigurimit për muajin prill, Vanesa Frejzier.

Në raportin e rregullt, i cili mbulon periudhën nga 19 shtatori 2023 deri më 15 mars 2024, Guteresh thekson se përkundër disa përparimeve në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e BE-së, tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit janë rritur dhe se situata e sigurisë në veri të Kosovës mbeti e brishtë.

Njëkohësisht, ai theksoi se nuk ka përparim në formimin e Asociacionit të komunave serbe edhe krahas presionit diplomatik dhe shfaqi brengë për zbatimin e rregulloreve të reja për transaksionet pagesore të cilat, siç tha, reflektohen në të drejtat sociale dhe ekonomike të serbëve dhe komuniteteve tjera jo shumicë.

Ai bëri thirrje për një debat urgjent mbi çështjet e hapura brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE, për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të prekura dhe grupeve më të cenueshme.

Guteresh dënoi ashpër atë që ai e quajti incidentin e rëndë të sigurisë më 24 shtator në Banjska, i cili çoi në humbjen tragjike të jetëve dhe bëri thirrje për përfundimin e hetimeve dhe "sjelljen e autorëve para drejtësisë pa vonesë".

Në tetor të vitit të kaluar u mbajt seanca e fundit e rregullt e Këshillit të Sigurimit të KB-së për punën e UNMIK-ut, ndërsa në shkurt të këtij viti me kërkesë të Serbisë dhe pas vendimit të autoriteteve në Prishtinë për ndalimin e përdorimit të dinarit, u mbajt një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të KB-së. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR