• e mërkurë, 26 qershor 2024

Sofje: Rinegocimi i detyrimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare vetëm se do ta largojë më tej Shkupin nga fillimi i negociatave me BE-në

Sofje: Rinegocimi i detyrimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare vetëm se do ta largojë më tej Shkupin nga fillimi i negociatave me BE-në

Sofje, 25 qershor 2024 (MIA) - Ministria e Punëve të Jashtme bullgare i është përgjigjur sot me një kumtesë deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë Hristijan Mickoski se nëse ka vullnet politik është e mundur zgjidhje me Bullgarinë dhe ndryshim të kornizës së negociatave me BE-në.

"Ministria e Punëve të Jashtme me këmbëngulje rikujton se konsensusi evropian i arritur në verën e vitit 2022 ndërmjet 27 vendeve anëtare të BE-së dhe vetë Maqedonisë së Veriut përshkruan qartë hapat për arritjen e progresit real në procesin e integrimit evropian të vendit fqinj. Gjithashtu, parimi i unanimitetit në procesin e zgjerimit të BE-së është i përfshirë në Traktatin e Bashkimit Evropian dhe në kornizat negociuese të të gjitha zgjerimeve të mëparshme dhe aktuale. Sjellja e ideve për rinegocimin e angazhimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare do të çojë vetëm në distancim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave të anëtarësimit në BE. Kujtojmë se si pasojë e provokimeve dhe konfrontimeve të panevojshme me vendet fqinje, Maqedonia e Veriut tashmë ka humbur shumë kohë në procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim", thuhet në kumtesë.

Për autoritetet në Sofje, siç tregohet, "është i papranueshëm qëllimi i shprehur i qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut për të refuzuar kërkesën legjitime të një pjese të qytetarëve të saj për të garantuar të drejtat dhe liritë në baza të barabarta me të gjitha komunitetet e tjera në Maqedoninë e Veriut të papranueshme, përfshirë edhe futjen e tyre në kushtetutë".

"Po aq i papranueshëm është synimi i deklaruar i Maqedonisë së Veriut për të mos respektuar detyrimet ndërkombëtare dhe marrëveshjet e nënshkruara. Një qëndrim i tillë është i papajtueshëm me përparimin në rrugën evropiane. Ajo lë një shqetësim serioz se në politikën e saj ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, qeveria aktuale në Shkup rrezikon të futet në grackën e dogmave të një epoke të shkuar, të refuzuara nga të gjitha shoqëritë demokratike. Qëndrimi bullgar është shprehur qartë në Vendimin e Kuvendit Kombëtar të 24 qershorit 2022, i mbështetur nga të gjitha forcat politike. Është shprehje e vullnetit të qytetarëve bullgarë për të mbështetur Maqedoninë e Veriut në procesin e përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në BE, me kusht që shteti fqinj t'i përmbahet standardeve më të larta në fushën e të drejtave të njeriut dhe të përmbushë detyrimet ndërkombëtare të marra me mirëbesim. Ky qëndrim në nivel kombëtar nuk do të ndryshojë", thuhet në kumtesën e MPJ-së bullgare. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR