• e enjte, 26 dhjetor 2024

Sofja, Bukureshti dhe Ankaraja do të nënshkruajnë një memorandum për çminimin e Detit të Zi

Sofja, Bukureshti dhe Ankaraja do të nënshkruajnë një memorandum për çminimin e Detit të Zi

Bruksel, 8 janar 2024 (MIA) - Bullgaria, Rumania dhe Turqia do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi midis tre qeverive të enjten në Stamboll për të krijuar një Grup Detar për të pastruar minat nga Deti i Zi dhe për të garantuar sigurinë e rrugëve detare.

Sipas njoftimeve, kjo do të pasohet nga një proces i planifikimit operacional të gjithë aksionit për krijimin e dokumenteve dhe udhëzimeve të detajuara për aktivitetet e Grupit, proces që mund të zgjasë disa muaj.

Tre vendet anëtare të NATO-s theksuan se nisma mbetet e hapur për pjesëmarrjen e shteteve të tjera aleate që nuk janë pjesë e rajonit të Detit të Zi.

Formimi i Grupit u iniciua nga Turqia në gusht të vitit të kaluar, për të garantuar sigurinë e rrugëve detare në Detin e Zi pas rrezikut të minave të vendosura pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës.

Shkak për këtë nismë janë bërë disa raste të aksidenteve me anije në Detin e Zi, të cilat kanë hasur në mina. Incidenti i fundit ndodhi në fund të muajit të kaluar kur një anije mallrash greke me flamur panamez hasi në një minë në Detin e Zi, me ç'rast shpërthimi shkaktoi një zjarr në anije dhe plagosi dy marinarë.

Pas tërheqjes nga Marrëveshja Ndërkombëtare për eksportin e grurit të Ukrainës korrikun e kaluar, Rusia njoftoi se do të konsideronte çdo anije të huaj në Detin e Zi një objektiv të mundshëm ushtarak.

Nënshkrimi i memorandumit vjen një javë pasi Turqia njoftoi se nuk do t'u lejojë dy anijeve për çminim , të dhuruara nga Britania për Ukrainën, të kalojnë nëpër ujërat e saj territorial në rrugën për në Detin e Zi. Ankaraja ka njoftuar tashmë aleatët e saj të NATO-s se ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, ajo nuk do të lejojë që anijet luftarake të kalojnë nëpër Bosfor dhe Dardanele. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR