• e premte, 27 dhjetor 2024

Sllovenia do të dërgojë tanke në Ukrainë, në këmbim do të marrë automjete të rënda transportuese nga Gjermania

Sllovenia do të dërgojë tanke në Ukrainë, në këmbim do të marrë automjete të rënda transportuese nga Gjermania
Lubjanë, 19 shtator 2022 (MIA) - Sllovenia dhe Gjermania kanë rënë dakord të dorëzojnë tanke sllovene në Ukrainë dhe në këmbim ushtria sllovene do të marrë automjete të rënda transportuese nga Bundesveri, njoftoi sot Kabineti i kryeministrit slloven. Sipas njoftimit, kryeministri slloven Robert Golob dhe kancelari gjerman Olaf Sholc janë pajtuar sot në një bisedë telefonike. Marrëveshja parashikon që Sllovenia do t'i dorëzojë Ukrainës 28 tanke "M55S", për të cilat do të marrë 35 automjete  të rënda dhe tetë cisterna (8x8) nga Berlini. Zyra e kryeministrit Golob njoftoi se marrëveshja u përfundua "në frymën e solidaritetit me popullin ukrainas", i cili po lufton kundër agresionit rus, dhe shkëmbimi "do të forcojë gjithashtu bashkëpunimin e mbrojtjes midis Sllovenisë dhe Gjermanisë". Pak muaj më parë, Sllovenia dhe Gjermania negociuan mundësinë që Lubjana t'i dhurojë Ukrainës tanke "M84" dhe në këmbim të marrë tanke më moderne nga Gjermania, por një marrëveshje e tillë ende nuk është arritur. Liderët slloven dhe gjerman kanë biseduar edhe për krizën energjetike dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, duke mbështetur perspektivën evropiane të vendeve në atë zonë. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR