• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

SIRIZA dorëzon në Parlamentin grek memorandumet me Maqedoninë e Veriut

SIRIZA dorëzon në Parlamentin grek memorandumet me Maqedoninë e Veriut

Athinë, 15 maj 2024 (MIA) - Në formën e propozim ligjeve, siç u njoftua dje, partia opozitare greke SIRIZA dorëzoi në Kuvend memorandumet me Maqedoninë e Veriut të miratuara për herë të dytë, pasi ato ishin dorëzuar tashmë një herë nga qeveria aktuale për më pak se katër vjet më parë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Kryetari i grupit parlamentar të SIRIZA-s Sokratis Famelos theksoi se ratifikimi është imperativ i interesit kombëtar dhe për këtë kanë nisur nismën konkrete dhe tre memorandumet si propozim ligje të opozitës kanë të njëjtën përmbajtje me ato të dorëzuara në shtator të vitit 2020 nga ministrat e mëparshëm.

Bëhet fjalë për memorandume që i referohen perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe mbikëqyrjes ajrore.

"Qeveritë e Micotakisit kanë pesë vite që mohojnë sistematikisht promovimin dhe thellimin e Marrëveshjes së Prespës. Një marrëveshje që i shërben interesit kombëtar, por edhe paqes, bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajonin veçanërisht të ndjeshëm të Ballkanit. Në vend që të promovojë Marrëveshjen, z. Micotakis mbron ruajtjen e ekuilibrit brenda partisë në pushtet dhe përdorimin e çështjeve kombëtare në komunikim. Por, vonesa në ratifikimin e tre memorandumeve të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut paraqet një pengesë të rrezikshme, duke dëmtuar interesat e vendit në një kohë kur mjedisi ndërkombëtar po bëhet i pasigurt", thotë Famelos.

Bëhet fjalë për tre marrëveshje ndërkombëtare, dy nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë të cilat u nënshkruan në seancën e parë ndërqeveritare të mbajtur në prill 2019 në Shkup dhe një nga Ministria e Mbrojtjes nënshkruar pesë muaj më vonë, ndërsa në Parlamentin grek janë miratuar si propozim ligje.

Propozim ligjet kanë dy nene, i pari përmban memorandumet në tërësi dhe i dyti i referohet hyrjes në fuqi, pra pas botimit në Gazetën Zyrtare të Greqisë, pasi të jetë ratifikuar më parë nga Parlamenti.

Zëdhënësja e SIRIZA-s Vula Kehaja ka bërë të ditur në brifingun e djeshëm për mediat se do t'i miratojnë memorandumet në formën e propozim ligjeve.

Qëndrimi i Qeverisë greke është se është mirë që memorandumet nuk janë ratifikuar deri më tani, ndërsa ministri për Punë të Jashtme Jorgos Gerapetritis në një intervistë për ERT ditën e djeshme theksoi se zhvillimet e fundit justifikojnë politikën e tyre dhe shtoi se ratifikimi varet nga pajtueshmëria e plotë me të rënë dakord. rq/

 

QËNDRONI TË LIDHUR