• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Sipas Ramës drafti për AKS-në, konstribut i Shqipërisë si shtet vëlla me Kosovën

Sipas Ramës drafti për AKS-në, konstribut i Shqipërisë si shtet vëlla me Kosovën

Tiranë, 9 qershor 2023 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për gazetën “Nacionale” në Kosovë ka deklariuar se nuk ka komunikuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me propozimin e draftstatutit për Asocacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, draft që ia ka vendosur në tryezë SHBA e BE, si dhe Gjermanisë dhe Francës.

“Unë dua të jem shumë fair dhe në raport me partnerët. Ky nuk është një konspiracion i shqiptarëve që ne po e bëjmë bashkë dhe pastaj unë do e çoj. Ky është një kontribut i Shqipërisë si shtet tjetër. Ne jemi vëllezër, por kemi dy shtete të ndryshme. Shqipëria ka shtetin e vet, Kosova ka shtetin e vet”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë tha se qëndrimi i Shqipërisë është 100 për qind i njëjtë me atë të SHBA dhe BE-së.

“Shqipëria në këtë rast është tërësisht në një linjë me SHBA-të dhe BE-në, me Francën dhe Gjermaninë, me qëndrimin e asaj që po bëjnë autoritetet e Kosovës. Shqipëria kontributin e saj saj nuk mund ta japë në këtë proces, përveç se duke qenë shumë etike në raport me aleatët dhe pozicionin e vet. Nuk mundet dot që ne të bëjmë një rol të hedhim gurin dhe të fshehim dorën, në sensin që t’i konsultojmë këto gjëra përpara dhe pastaj të bëjmë sikur nuk i kemi konsultuar”, nënvizoi Rama

I pyetur për një mundësi të përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, Rama tha se është e pamundur, pasi sipas tij Kosova është Amerikë.

“Kjo është gjëja e fundit që unë imagjinoj. Ka një fjalë që thotë kurrë mos thuaj kurrë, por unë dua të them kurrë. Për faktin se kush do luftojë në Kosovë? Do luftojë Serbia me Amerikën? Kosova është Amerikë. Sa për dijeni të atyre që kanë harruar, Kosova nuk është ende tërësisht sovrane për sa kohë ka një ushtri të tërë të huaj në territorin e vet, dhe për sa kohë nuk është e njohur ndërkombëtarisht nga të gjithë. Kështu që, çfarë do të bëjë Serbia, do të sulmojë Amerikën?”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama njoftoi pak ditë më parë se i ka përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Sholc një draft për Asociacionin e komunave serbe, për të cilin ka vënë në dijeni dhe presidentin e KE-së, Sharl Mishel dhe palën amerikane.

Rama deklaroi se “krijimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara dhe të gjithë forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë”.

QËNDRONI TË LIDHUR