Si pjesë e valës së protestave studentore pro-palestineze, studentë në Paris bllokuan një universitet shkaku i luftës në Gazë
- Studentët në Paris protestuan sot përsëri pasi policia shpartalloi protestuesit e solidaritetit pro-palestinez të mërkurën në Sciences Po, një nga universitetet më prestigjioze të Francës.
- Post By Fami Bajrami
- 16:51, 26 prill, 2024
Paris, 26 prill 2024 (MIA) - Studentët në Paris protestuan sot përsëri pasi policia shpartalloi protestuesit e solidaritetit pro-palestinez të mërkurën në Sciences Po, një nga universitetet më prestigjioze të Francës.
Studentët bllokuan sot hyrjen në një universitet prestigjioz të Parisit për shkak të luftës në Gazë, duke kërkuar që universiteti të dënojë veprimet e Izraelit.
Protesta e studentëve në Paris vjen pas një vale demonstratash të ngjashme në universitetet amerikane.
Duke dhënë mesazhe mbështetjeje për palestinezët, studentët valëvitën flamuj palestinezë në dritare dhe sipër hyrjes së godinës së institucionit. Disa prej tyre mbanin shalle bardh e zi „keffiyeh" që është kthyer në simbol të solidaritetit me Gazën.
“Kur shohim se çfarë po ndodh në SHBA dhe tani në Australi, shpresojmë se do të mbijetojë edhe këtu në Francë, sepse bota akademike ka rolin e saj”, tha 22-vjeçari Hiçam një student i programit për të drejtat e njeriut dhe shkencat humanitare.
Policia largoi grupin e parë të studentëve që bllokuan Science Po mbrëmjen e së mërkurës, një akt i dënuar nga politikanët e majtë.
Përleshje mes policisë dhe studentëve që kundërshtojnë luftën e Izraelit në Gazë shpërthyen përsëri dje në kampuset amerikane, duke rindezur debatin mbi metodat e dhunshme të përdorura nga forcat e rendit për të shuar protestat që janë intensifikuar që nga arrestimet masive në Universitetin Kolumbia javën e kaluar.
Qindra njerëz, madje janë arrestuar në dhjetëra kampuse ku kanë shpërthyer protesta dhe demonstrata në mbështetje të palestinezëve në Gazë.
Nga ana tjetër, disa nga protestuesit në kampuset amerikane u akuzuan për antisemitizëm. Një numër studentësh hebrenj thanë se ndiheshin të pasigurt në Kolumbia dhe universitete të tjera, megjithëse studentë të tjerë hebrenj iu bashkuan protestuesve.
foto: printskrin/EPA