Shumica e tregtarëve po i kthejnë çmimet në nivelin para rritjes, thotë Mickoski
- Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se shumica e tregtarëve po respektojnë udhëzimet që u janë dhënë për t'i kthyer çmimet e produkteve në nivelin para rritjes, që e kanë bërë pasi hyri në fuqi aksioni "Shporta e Vitit të Ri", për të cilën gjë alarmuan qytetarët.
Shkup, 27 dhjetor 2024 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se shumica e tregtarëve po respektojnë udhëzimet që u janë dhënë për t'i kthyer çmimet e produkteve në nivelin para rritjes, që e kanë bërë pasi hyri në fuqi aksioni "Shporta e Vitit të Ri", për të cilën gjë alarmuan qytetarët.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski sot tha se situata do të monitorohet dhe nëse ka sjellje devijante nga ana e tregtarëve, do të merren masa. Ai përkujtoi se gjithmonë ekziston mundësia e rikufizimit të çmimeve me vendim të Qeverisë.
"Sot në mëngjes fola me ministrin e Ekonomisë dhe Punës, por një ose dy ditë më parë mora informacion nga ISHT se shumica e tregtarëve po i kthejnë çmimet në nivelin që kishin para se të kishin rritje. Ata respektojnë indikacionet që ne iu drejtuam publikisht atyre. Pres që kjo të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, ndonëse situata do të monitorohet rregullisht me kontroll intensiv nga ISHT-ja dhe nëse do të kemi sjellje devijuese nga ana e tregtarëve, do të merren masa. Ndryshe, masa e fundit që ka në dispozicion qeveria është që sërish të vendosë kufizim apo limitim të çmimit, por në këtë moment shohim se shumica e tregtarëve e respektojnë atë indikacion dhe kërkesë”, tha Mickoski, pas prezantimit të rezultateve të punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Pas ankesave të qytetarëve për ngritje të çmimeve të produkteve bazë ushqimore që nuk janë përfshirë në shportën e Vitit të Ri, Mickoski pardje ka paralajmëruar reagim të ashpër të Qeverisë në periudhën e ardhshme, ndërsa ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, informoi se Inspektorati Shtetëror i Tregut është duke bërë analiza në terren se si kanë lëvizur çmimet në tre muajt e fundit dhe pas përfundimit të analizave do të vendoset nëse do të merren masa më rigoroze. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s