Shtëpia e Bardhë pretendon se Spanja është zbutur për bazat - Madridi zyrtar e mohon fuqimisht
- Shtëpia e Bardhë mbrëmë publikoi se Spanja kishte rënë dakord të bashkëpunonte me ushtrinë amerikane pasi presidenti, Donald Tramp, kërcënoi të ndërpresë tregtinë, por Spanja mohoi ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë.
- Post By Ramize Qamili
- 08:29, 5 mars, 2026
Uashington/Madrid, 5 mars 2026 (MIA) - Shtëpia e Bardhë mbrëmë publikoi se Spanja kishte rënë dakord të bashkëpunonte me ushtrinë amerikane pasi presidenti, Donald Tramp, kërcënoi të ndërpresë tregtinë, por Spanja mohoi ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë.
Trampi kërcënoi dy ditë më parë se do të ndërpresë tregtinë me Madridin për shkak të kundërshtimit të tij ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit, mbrëmë për këtë temë tha se i ishte thënë se Spanja është zbutur."
"Mendoj se dje ata e dëgjuan mesazhin e presidentit me zë të lartë dhe të qartë. Nga sa kuptoj unë, gjatë orëve të fundit ata kanë rënë dakord të bashkëpunojnë me ushtrinë amerikane", tha Livit në një brifing për media, pa dhënë informacione të mëtejshme për këtë temë.
Shefi i diplomacisë spanjolle, Hose Manuel Albares, mohoi se Spanja kishte arritur një marrëveshje të tillë.
"Kategrikisht e mohoj këtë. I dëgjova këto deklarata gjatë rrugës për këtu dhe pata kohë t'i studioja dhe t'i dëgjoja", deklaroi Albares për radiostacionin spanjoll "Kadena Ser".
"Qëndrimi i Qeverisë Spanjolle ndaj luftës në Lindjen e Mesme dhe bombardimit të Iranit në lidhje me përdorimin e bazave tona nuk ka ndryshuar fare. Prandaj, kategorikisht dhe sinqerisht e mohoj. Nuk kam asnjë ide se për çfarë mund të referohet ose nga mund të vijë".
Trampi hodhi idenë e vendosjes së një embargoje tregtare ndaj Madridit për shkak të refuzimit të tij për të lejuar aeroplanët amerikanë të përdorin bazat e përbashkëta detare dhe ajrore në Spanjën jugore për një ofensivë kundër Iranit.
Spanja ka dënuar bombardimet amerikane dhe izraelite të Iranit si të papërgjegjshme dhe të paligjshme.
Spanja "nuk do të jetë vasale" e një vendi tjetër, deklaroi dje zëvendëskryeministrja Maríja Hesus Montero.
Kryeministri Pedro Sançez më herët dje përsëriti qëndrimin anti-luftë të Spanjës, duke paralajmëruar se konflikti rrezikon të shkaktojë një katastrofë të madhe globale. rq/
Foto: arkivi i MIA-s