• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shqipëria po plaket, gjysma e banorëve janë mbi 36 vjeç

Shqipëria po plaket, gjysma e banorëve janë mbi 36 vjeç

Tiranë, 19 mars 2023 (MIA) – Shqipëria po plaket. Sot më shumë se gjysma e banorëve janë mbi 36 vjeç, ndryshe nga viti 1990 kur mosha mesatare e popullsisë ishte 24 vjeç. Është një kambanë që paralajmëron katastrofë, shkruan gazeta “Tema”.

“Kjo ikje ka efekte shkatërruese për vendin tonë. Pse? Nëse në vitet 90 ne kishim 4 të punësuar për një përfitues pensioni, sot kemi 1.4 të punësuar për një përfitues pensioni. Me këtë trend në vitet 2030 do të kemi 1.2 të punësuar për një përfitues pensioni. Kjo tregon që sistemi i pensioneve po shkon në kolaps", u shpreh pedagogu i ekonomisë Klodian Muço.

Denisa Canameti nga programi i shëndetësisë në shoqatën “Together for Life” tha se largimi i profesionisteve, jo vetëm në sistemin shëndetësor, por në çdo sektor e dëmton dhe lë një boshllëk shumë të madh.

"Për në një vend si i yni edhe pandemia solli një goditje të fortë në shëndetësi dhe ekonomi. Efekti i izolimit u pa që në muajt e parë të vitit 2020 dhe në fund të tij, dhe për herë të parë nuk kishte shtesë natyrore. Numri i vdekjeve ishte më i madh se lindjet, ndërsa ndihmat e pamjaftueshme nga njëra anë dhe shpenzimet e larta për kurimin nga ana tjetër u bënë motiv i fortë për largim", tha ajo.

“Shqipëria kaloi një periudhë shumë të vështirë gjatë pandemisë që filloi në 2020-n, dhe detyrimisht do të kishte refleksionet e veta. Dikur kam thënë që kjo është një pandemi mjekësore, por ne duhet t’i ruhemi një pandemie ekonomike dhe njerëzorë, sepse e dija që do kishte një shfryrje të madhe”, tha nga ana tjetër, sipërmarrësi Gjergji Gjika.

“Shqipëria është kthyer në fenomen shpopullimi. Nuk do të kemi as lindje, as të rinj. Nuk do kemi më forcë pune. Edhe po të kemi zhvillim ekonomik, kush do punojë në Shqipëri”, u shpreh ekspertja e statistikave, Ines Nurja.

 

 


QËNDRONI TË LIDHUR