• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shqipëria do të amnistojë rreth 570 të burgosur, nuk janë përfshirë vrasësit dhe ata të cilët janë subjekt i SPAK

Shqipëria do të amnistojë rreth 570 të burgosur, nuk janë përfshirë vrasësit dhe ata të cilët janë subjekt i SPAK

Tiranë, 7 nëntor 2023 (MIA) - Qeveria shqiptare e solli Propozim-ligjin për amnisti, me të cilin do të përfitojnë 570 të burgosur. 

Gjithashtu, në bazë të Propozim-ligjit, pushohet ndjekja penale për pjesën më të madhe të kundërvajtjeve penale për të cilat është paraparë dënim me burg deri në dy vjet. 

Sipas propozim-ligjit, nga qelitë e burgut do të largohen burrat të cilët janë dënuar me burg deri tre vjet dhe gratë të cilat janë dënuar me burg deri katër vjet, për dënime të cilat ishin shqiptuar para datës 30 qershor të këtij viti. 

"Po rifitojnë lirinë edhe burrat, të cilëve u kanë mbetur edhe tre vjet burg nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit, si dhe gratë, të cilave u kanë mbetur katër vjet burgim. Amnistia do të jetë për gratë mbi 50 vjeç, burrat mbi 65 vjeç dhe të miturit", bëjnë të ditur mediat shqiptare.

Gjithashtu propozohet që burrat të kenë një vit ulje të dënimit dhe një vit e gjysmë për gratë dhe të miturit, të cilët nuk përfitojnë nga amnistia si të tjerët. 

"Përjashtohen rreptësisht nga amnistia personat që vuajnë dënimin për dhunë në familje, krim të organizuar, tregti me sasi të mëdha të drogës ose keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, gjegjësisht janë subjekt i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK", tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja .

Propozim-ligjin e ka përgatitur grupi i punës i kryesuar nga Manja, pas konsultimeve tremujore me ekspertë vendorë dhe nga BE-ja dhe me drejtorinë e përgjithshme të burgjeve. 

Ai duhet të votohet në Parlament këtë muaj. 

Në Shqipëri amnistia e fundit ishte në vitin 2020, kur ishin përfshirë 170 të burgosur. fc/

Fotografia: Fejsbuk

 

QËNDRONI TË LIDHUR