• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shqipëri: Për katër vite bonus për bebe kanë marrë mbi 164 mijë të posalindur

Shqipëri: Për katër vite bonus për bebe kanë marrë mbi 164 mijë të posalindur

Tiranë, 12 mars 2023 (MIA) - Gjatë katër viteve të kaluara, prej kur filloi të zbatohet vendimi qeveritar, në Shqipëri bonus për bebe kanë marrë mbi 164 mijë të posalindur, njoftoi në Fejsbuk, kryeministri shqiptar, Edi Rama.

"Deri tani kemi mbështetur mbi 164 mijë fëmijë që kanë përfituar bonusin e bebes nga janari 2019, ju uroj një të diel të mbarë", shkroi kryeministri Rama në Fejsbuk.

Në krahasim me numrin e përgjithshëm të publikuar në janar të vitit të kaluar kur për tre vite ishin ndarë mbi 140 mijë vauçerë, del se vitin e kaluar këtë të drejtë e kanë realizuar 24 mijë fëmijë.

Bonusi i bebeve është pjesë e politikës sociale që Qeveria po zbaton që nga 1 janari i vitit 2019 dhe mbështet familjet e reja, pavarësisht statusit social-ekonomik. Këtë të drejtë e ushtrojnë fëmijët e regjistruar në regjistrin e të lindurve në Shqipëri, pavarësisht nëse kanë lindur brenda apo jashtë vendit.

Prindërit e të sapolindurve e marrin vauçerin në maternitet ku bëjnë regjistrim të shpejtë të fëmijës, duke i shmangur të gjitha "vonesat dhe procedurat byrokratike që kanë qenë më parë".

Me programin qeveritar prindërit që lindin fëmijën e tyre të parë marrin bonus në vlerë prej 40 mijë lekë (mbi 340 euro), për fëmijën e dytë 80 mijë, ndërsa për fëmijën e tretë dhe më tutje nga 120 mijë lekë. Nëse janë binjakë, trinjakë ose më shumë foshnja, secila fonshnjë merr vlerë identike. 

Kryeministri Rama, paralajmëroi se Qeveria edhe gjatë këtij viti do të paguajë bonus për fëmijë për çdo të sapolindur. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR