• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Shqetësuese dukuria e kontrabandës së armëve nga Kosova në Shqipëri

Shqetësuese dukuria e kontrabandës së armëve nga Kosova në Shqipëri

Tiranë, 25 maj 2024 (MIA) - Kosova është kthyer në "furnitorin" më të madh të Shqipërisë sa i përket armëve të zjarrit, konfirmon statistika e policisë, sipas të cilës vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë konfiskuar 125 copë armë zjarri, prej të cilave 75 janë pistoleta, si dhe sasi më e madhe e armëve, informon Ora Njuz.

Sipas burimit të njëjtë, shqetësim për këtë fenomen ka ngritur edhe kreu i Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, Altin Dumani duke u shprehur se "grupet kriminale po porosisin më shumë armë zjarrit të llojit pistolete". 

Vetëm një ditë më parë 10 pistoleta u kapën nga Policia e Tiranës që synim kishin tregtimin e tyre në jug të vendit, ndërsa arrestoi katër shtetas kosovarë.

"Trafiku i armëve është një aktivitet tjetër kriminal, i cili shoqëron kryesisht grupet e përfshira në trafikun e narkotikëve dhe që karakterizohet nga përdorimi i lartë i dhunës. Kohëve të fundit vihet re, një tendencë në rritje e grupeve kriminale që veprojnë jashtë vendit të cilët po porosisin armë zjarri, të llojit 'pistoletë', ndërsa furnizues kryesor mbetet Kosova, deklaroi ai.

Nga hetimet e Prokurorisë Speciale, por edhe prokurorive të rretheve është evidentuar fakti se çmimi i tyre varion nga një mijë deri dy mijë euro.

"Trafikantët dyshohet se përdorin ditët e fundjavave për futjen e armëve në vendin tonë. Kjo për shkak se punonjësit e policisë nuk ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj shtetasve nga Kosova, por u kërkohen vetëm mjete identifikimi", njoftoi televizioni.

Sipas SPAK, Kosova, përveç armëve të zjarrit, është kthyer në një market edhe për lëndët plasëse, të cilat janë përdorur në ngjarje kriminale. fc/

Fotografia: MPB e Shqipërisë

QËNDRONI TË LIDHUR