• e enjte, 26 dhjetor 2024

Sholc: Nuk do të lejojmë që Ukraina të synojë territorin rus me armët që Berlini e furnizoi Kievin

Sholc: Nuk do të lejojmë që Ukraina të synojë territorin rus me armët që Berlini e furnizoi Kievin

Berlin, 2 maj 2023 (MIA) - Gjermania nuk do të lejojë që Ukraina të synojë territorin rus me armët që Berlini i dorëzoi Kievit, tha kancelari gjerman Olaf Sholc.

Qeveria gjermane përmbahet nga çdo hap i njëanshëm kur bëhet fjalë për armatimin e regjimit ukrainas të Vollodimir Zelenski dhe vepron vetëm në koordinim me aleatët, theksoi Sholc gjatë takimit me qytetarët në krahinën perëndimore të Rajna-Pcalf dhe shtoi se Berlini synon të qëndrojë në atë pozicion edhe në të ardhmen.

"Për ne është e rëndësishme që armët të cilat ia dorëzojmë Ukrainës për mborjtje të mos shfrytëzohen në sulme të territorit rus", vuri në dukje kancelari dhe tha se edhe pse Gjermania i ndihmon Ukrainës me armë, duke përfshirë edhe tanke luftarake Leopard 2, Berlini bën gjithçka për të shmangur një përshkallëzim që mund të sjellë në konflikt direkt ndërmjet NATO-s dhe Moskës.

Ndryshe nga deklarata e Sholcit sot, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, muajin e kaluar tha se është "tërësisht normale" që Ukraina të kryejë sulme brenda Rusisë që t'i presë "rrugët e furnizimit", por edhe për arsye tjera ushtarake. Pistorius atëherë nuk tha asgjë për origjinën e armëve që Kievi mund t'i shfrytëzojë në operacione të tilla, megjithëse ai specifikoi se civilët nuk duhet të jenë cak i sulmeve.

Nga fillimi i luftës ukrainase në shkurt të vitit 2022, rajonet ruse Bërjansk, Bellgorod dhe Kursk, të cilat kufizohen me Ukrainën, ishin cak i sulmeve të shumta  me drone dhe raketa nga ana e forcave të Kievit. Sulmet kishin në shënjestër infrastrukturën energjetike dhe zonat banesore, ndërsa kishte edhe disa viktima, shumë civilë të lënduar si dhe dëm material.

Moska një kohë të gjatë paralajmëron se përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina për sulme ndaj territorit rus do ta konsiderojë si "linjë të kuqe".

Moska zyrtare pohon gjithashtu se NATO po zhvillon një luftë prokure kundër Federatës Ruse përmes Ukrainës, duke pasur parasysh se SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe aleatët e tyre furnizojnë Kievin me armë dhe municione, trajnojnë ushtarë ukrainas dhe ndajnë inteligjencën, duke i bërë pjesëmarrës de fakto në konflikt.  sa/

QËNDRONI TË LIDHUR