Sholc, Makron dhe Bajden: Ky hap i Rusisë nuk do të mbetet pa përgjigje
- Post By Fami Bajrami
- 22:51, 21 shkurt, 2022
Berlin, 21 shkurt 2022 (MIA) – Hapi i njëanshëm i Rusisë është shkelje e Marrëveshjes së Minskut dhe ai hap nuk do të mbetet pa përgjigje, kanë njoftuar sonte në deklaratën e përbashkët kancelari gjerman Olaf Sholc, presidenti francez Emanuel Makron dhe presidenti amerikan Xho Bajden.
“Kancelari Sholc sonte ka biseduar me Bajdenin dhe Makronin pas përkeqësimit të situatës në Ukrainë, pasi presidenti rus Vlladimir Putin e nënshkroi dekretin për njohje të Republikës së vetëshpallur të Donjeckut dhe Luganskit në Ukrainën Lindore”, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stiven Heberstrajt.
“Ata janë të bashkuar në deklaratën se ky hap unilateral i Rusisë është shkelje e qartë e Marrëveshjes së Minskut. Gjermania, Franca dhe SHBA ashpër e kanë dënuar vendimin e presidentit rus. Ai hap nuk do të mbetet pa përgjigje”, theksohet në kumtesën e përbashkët.
Sholc, Makron dhe Bajden kanë shprehur solidaritet me Ukrainën dhe e kanë lavdëruar reagimin e deritashëm të përmbajtur të presidentit Volodimir Zelenski.
Ata kanë theksuar se nuk do të heqin dorë nga angazhimi i tyre mbi integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. fab/