• e enjte, 26 dhjetor 2024

Sholc: Gjermania do t'i ashpërsojë rregullat për deportim

Sholc: Gjermania do t'i ashpërsojë rregullat për deportim

Berlin, 6 qershor 2024 (MIA) - Kancelari gjerman, Olaf Sholc deklaroi se vendi i tij do t'i ashpërsojë rregullat e veta për deportim, pasi që seria e sulmeve shkaktoi thirrje për pozicion më të fuqishëm ndaj politikës aktuale të emigracionit, dhe me atë rast shtoi se madhërimi i terrorizmit në të ardhmen do të jetë arsye e mjaftueshme për kthim të personave në vendin e origjinës, transmetuan mediumet britanike.

"Secili që e madhëron terrorizmin është kundër vlerave tona dhe duhet të deportohet", tha Sholc në fjalimin e tij në Dhomën e poshtme të Parlamentit gjerman (Bundestag), duke shtuar se Ministria e Punëve të Brendshme i ka përforcuar përpjekjet për t'i kthyer kriminelët dhe emigrantët e rrezikshëm në Afganistan.

"Kriminelët e tillë duhet të deportohen - madje edhe nëse vijnë nga Siria dhe Afganistani", tha ai.

"Mes nesh nuk ka vend për kryes të krimeve të rënda dhe kërcënimeve terroriste", shtoi kancelari, i cituar nga DPA.

Sholc komentin e dha pas sulmit të kohëmëparshëm me thikë në qytetin jugperëndimor Manhajm, në të cilin një shtetas afgan therri disa persona në një tubim kundër islamit. Gjatë sulmit u lëndua edhe një polic, i cili më vonë iu nënshtrua plagëve. ab/

foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR