• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Sholc edhe një herë mbështeti hapjen e negociatave mes BeH-së dhe BE-së

Sholc edhe një herë mbështeti hapjen e negociatave mes BeH-së dhe BE-së

Berlin, 21 mars 2024 (MIA) - Kancelari gjerman Olaf Sholc në fjalimin e tij në Bundestag edhe një herë e ka përkrahur hapjen e negociatave midis Bosnje e Hercegovinës dhe Bashkimit Evropian. Megjithatë, në prag të samitit të Këshillit të BE-së ka ende shumë skepticizëm.

Në komunikatën e qeverisë gjermane me rastin e samitit të Këshillit të BE-së të enjten dhe të premten, kancelari gjerman Sholc ka mbështetur hapjen e negociatave midis Bosnje e Hercegovinës dhe Bashkimit Evropian për anëtarësim të plotfuqishëm.

Sholc theksoi se është krenar për faktin se kanë zhvilluar një ritëm të ri në procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, por shtoi se procesi po zgjat "një kohë të gjatë".

"Tani Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e negociatave për Bosnje dhe Hercegovinën. Ky është një sinjal i qartë se BE-ja po adaptohet me situatën e re. Projekti paqësor i Evropës do të jetë i fuqishëm në botën që po ndryshon", tha Sholc gjatë fjalimit të tij në të cilën shkurtimisht iu referua çështjes për Bosnje e Hercegovinën dhe hapjen e negociatave, ndërsa më së shumti foli për politikën e Gjermanisë ndaj luftës në Ukrainë dhe Rripin e Gazës.

Në komunikatën e grupeve parlamentare të partive në pushtet, Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Të Gjelbërve dhe Partisë Liberal Demokrate (FDP), theksohet se Gjermania dhe Bashkimi Evropian qëndrojnë pas premtimit të dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2003 në samitin e Selanikut.

Bundestagu thekson interesin e saj për integrimin e Bosnje e Hercegovinës në Bashkimin Evropian dhe do të vazhdojë ta mbështesë këtë vend dhe qytetarët e saj në këtë rrugë.

foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR