• e enjte, 26 dhjetor 2024

Sholc dhe Zelenski morën çmime nga Këshilli Atlantik

Sholc dhe Zelenski morën çmime nga Këshilli Atlantik

Nju-Jork, 21 shtator 2023 (MIA) - Kancelari gjerman Olaf Sholc dhe presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, gjatë seancës vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, morën çmimin Qytetari Global nga Këshilli Atlantik, njofton DPA.

Çmimi u jepet individëve "të cilët kanë kontribuar në ndryshime pozitive në shoqëritë e tyre dhe që mishërojnë përkushtimin për bashkëpunimin ndërkombëtar".

Në ceremoni, Sholc tha se ishte i nderuar që mori çmimin së bashku me Zelenskin.

“Lufta brutale e Rusisë kundër Ukrainës po zhvillohet në Evropë, por në të njëjtën kohë është një sulm ndaj parimeve bazë të rendit tonë ndërkombëtar”, tha Sholc.

Ai përsëri premtoi se Gjermania do të mbështesë Zelenskin dhe Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Zelenski, nga ana tjetër, ia kushtoi çmimin e tij ushtarëve që luftojnë kundër Rusisë dhe "fëmijëve të dashur" të vrarë nga "terroristët rusë". Ai tha se ia dedikon "vendeve të guximshme" që ishin me Ukrainën dhe e mbështetën atë, si dhe të gjithë njerëzve që luftuan për liri në botë si Ukraina.

Çmimet u dhanë gjatë një darke gala për të cilën mund të bliheshin bileta me vlerë 2500 dollarë.

Çmimin e morën edhe kryeministri japonez Fumio Kishida dhe ministrja amerikane e Financave, Xhenet Jalen. mb/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR