• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Shojgu: Rusia do t'i intensifikojë sulmet ndaj depove me armë perëndimore në Ukrainë

Shojgu: Rusia do t'i intensifikojë sulmet ndaj depove me armë perëndimore në Ukrainë

Moskë, 23 prill 2024 (MIA) - Rusia do t'i intensifikojë sulmet ndaj bazave ukrainase në të cilat ruhen armët e dorëzuara nga Perëndimi, deklaroi sot ministri i Mbrojtjes, Sergej Shojgu, i transmetuar nga mediat britanike. 

Duke folur me përfaqësues të mbrojtjes, Shojgu, gjithashtu, tha se Rusia e "ka hedhur poshtë mitin për superioritet të armës perëndimore" dhe forcat e saja kanë arritur nismë në frontin e gjatë 1.000 kilometra.

Komenti i ministrit rus vijoi pasi Uashingtoni të shtunën shfaqi gatishmëri që t'i sigurojë Ukrainës pako të re të ndihmës ushtarake, duke votuar në Dhomën e Përfaqësuesve propozim ligjin në vlerë gati 61 miliardë dollarë.

Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski deklaroi se Kievi së shpejti do të marrë më shumë sisteme raketore me rreze të gjatë veprimi ATACMS si pjesë e pakos. Autoritetet amerikane thonë se ndihma do të përfshijë edhe furnizim të municionit dhe sisteme për mbrojtje kundërajrore. 

"Proporcionalisht me kërcënimet e SHBA-së dhe aleatëve të saj, do të vazhdojmë ta përmirësojmë përbërjen dhe strukturën e forcave të armatosura dhe ta rrisim prodhimtarinë e armës më të famshme dhe pajisjes ushtarake", tha Shojgu.

"Do ta rrisim intensitetin e sulmeve kundër qendrave logjistike dhe bazave për ruajtjen e armës perëndimore", shtoi ai. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR