• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Shkëmbim zjarri mes policisë dhe kontrabandistëve në veri të Kosovës, arrestohet një serb

Shkëmbim zjarri mes policisë dhe kontrabandistëve në veri të Kosovës, arrestohet një serb

Prishtinë, 30 dhjetor 2023 (MIA) - Policia e Kosovës kumtoi se sot në mëngjes ka pasur konflikt të armatosur me disa persona në rajonin e Zubin Potokut, në veri të Kosovës, në afërsi të kufirit me Serbinë, të cilët tentonin të kontrabandojnë dele nga Serbia, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në kumtesën e policisë ceket se "gjatë realizimit të detyrave e aktiviteteve policore, zyrtarë policorë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, sot më 30.12.2023 rreth orës 06:15, në fshatin Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve".

"Policia në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar. Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime", thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrollit të kamionit, sipas njoftimit për media janë gjetur të ngarkuara 40 dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Në vendin e njejtë janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.

"Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale: ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave'. Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vend- ngjarje janë konfiskuar, kurse më aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë", thuhet në njoftimin e policisë. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR