• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shefi i Shtatmadhorisë së Polonisë: Vendi po përgatitet për luftë të gjatë dhe të përgjakshme

Shefi i Shtatmadhorisë së Polonisë: Vendi po përgatitet për luftë të gjatë dhe të përgjakshme

Varshavë, 28 prill 2024 (MIA) - Shefi i Shtatmadhorisë së armatës polake, gjeneral Visllav Kukulla, deklaroi se gjatë dy deri tre viteve të ardhshme, vendi i tij do ta reformojë dhe do ta fuqizojë ushtrinë e tij, ashtu që do të jetë e gatshme për "luftë të përgjakshme dhe të gjatë".

"Sot jemi të bindur se lufta eventuale do të ishte e gjatë dhe e përgjakshme, ndërsa shumica e ushtarëve profesionistë nuk do të duronin deri në fund. Rezervistët do të jenë kryesorët dhe ata do ta përfundojnë luftën. Duhet ta ndryshojmë mënyrën e të menduarit, ashtu që rezervistët në numër të madh do të hyjnë në forcat e armatosura, do të pajisen si ushtarë profesionistë dhe do të trajnohen në kurset e njëjta", tha gjenerali Kukulla për radion publike polake. 

Gjeneralët polakë në reformën e ushtrisë po ndjekin modelin e Finlandës, ku forcat e armatosura kanë vetëm 31.500 ushtarë profesionistë, por në çdo moment radhët e tyre mund t'i plotësojnë 280.000 rezervistë të trajnuar. 

Polonia planifikon ta fuqizojë armatën në 300.000 ushtarë, në mesin e të cilëve do të ketë ushtarë profesionistë, pastaj polakë të cilët vullnetarisht kanë shërbyer në ushtri dhe Armatë për mbrojtje territoriale, ndërsa përveç kësaj edhe rezervistë aktivë, të cilët deri në vitin 2039 duhet të numërojnë 150.000.

"Shërbimi vullnetar ushtarak dhe mbrojtja territoriale rezultuan të ishin një sukses, jo sepse u konceptuan në mënyrë gjeniale, por sepse thjesht goditëm pritshmëritë në shoqëri. Një pjesë e madhe e shoqërisë sonë kërkon të përgatitet dhe të mësojë të luftojë profesionalisht", tha shefi i Shtatmadhorisë.

Polonia filloi shpejtë ta modernizojë armatën qysh para sulmit rus mbi Ukrainë, ndërsa vazhdon të blejë armë, dhe qeveria e re proevropiane, e cila angazhohet të ndajë katër për qind të PBB në vit për mbrojtje, që është më i larti në NATO.

Frikën se nuk ka garanci se Rusia do të ndalet nëse e fiton Ukrainën dhe se Polonia nuk do të jetë caku i ardhshëm, të paktën derisa Moska nuk e kthen sferën e saj të ndikimit nga koha e Luftës së Ftohtë, publikisht e shprehin edhe personat zyrtarë dhe opozita. 

"A mund të më garantoni se (presidenti rus Vladimir) Putini nuk do të sulmojë asnjë vend të NATO-s", e pyeti ministri polak i Punëve të Jashtme, Radosllav Shikorski gazetarin në intervistën për numrin e ri të gazetës gjermane "Bild". 

Ai deklaroi se "duke pasur parasysh atë se sa herë në histori Rusia e ka sulmuar Poloninë", polakët as tani nuk do të ishin të befasuar nga një sulm i tillë, ndërsa se nëse Putini arrin në kufijtë e Polonisë, do ta bëjë të njëjtën gjë që e bëri Hitleri para Luftës së Dytë Botërore me Çekinë. fc/

Fotografia: Arkivi i EPA-s

QËNDRONI TË LIDHUR