• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Shefat e kompanive të mëdha të teknologjisë në Kongres diskutuan të ardhmen e inteligjencës artificiale

Shefat e kompanive të mëdha të teknologjisë  në Kongres diskutuan të ardhmen e inteligjencës artificiale

Uashington, 14 shtator 2023 (MIA) - Shefat e kompanive më të mëdha të teknologjisë, duke përfshirë Ilon Mask dhe Mark Zukerberg, vizituan Kongresin dje për të ndarë planet e tyre për inteligjencën artificiale, ndërsa SHBA zhvillon ligje të reja për të kontrolluar më mirë teknologjinë.

Drejtori ekzelutiv i Tesla-s, Ilon Mask, thotë se ekziston "konsensus universal" për nevojën e rregullimit të inteligjencës artificiale.

"Ka një konsensus të fortë në favor të rregullimit të inteligjencës artificiale. Edhe nëse rregullimi nuk është i përsosur..., pasojat e daljes jashtë kontrollit të inteligjencës artificiale do të ishin të rënda", komentoi Mask pas takimit.

Takimi i djeshëm me deputetët amerikanë është zhvilluar me dyer të mbyllura. Takimi u thirr nga udhëheqësi i shumicës në Senat, Çak Shumer, dhe u ftuan shefat e gjigantëve të teknologjisë, si dhe avokatët e të drejtave civile.

Shumë shqetësohen se përparimet e shpejta teknologjike do të çojnë në humbje të vendeve të punës, më shumë dezinformata në internet dhe efekte të tjera të dëmshme.

Zukerberg theksoi se Kongresi "duhet të adresojë inteligjencën artificiale për të mbështetur inovacionin, por edhe masat mbrojtëse". Ai shtoi se "standardi vendoset më mirë nga kompanitë amerikane që mund të punojnë me qeverinë për të formuar këto modele për çështje të rëndësishme".

Senatori republikan Majk Raunds tha se Kongresit do t'i duhet kohë për të vepruar.

"A jemi gati të shkruajmë ligjin? Absolutisht jo, tha Raund.

Senatori demokrat Kori Buker tregoi se të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord se "qeveria ka një rol rregullator", por se hartimi i legjislacionit do të ishte një sfidë.

Fuqia dhe avantazhet e inteligjencës artificiale, si dhe rreziqet e mundshme, janë me interes të madh për shkencëtarët në mbarë botën. Në maj, Sam Altman, drejtor ekzekutiv i OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, dëshmoi para një komiteti të Senatit të SHBA-së, duke përshkruar kurthet e mundshme të teknologjisë së re. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR