• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

SHBA-ja nuk do të dërgoj trupa për të luftuar në Ukrainë, kumton Shtëpia e Bardhë

SHBA-ja nuk do të dërgoj trupa për të luftuar në Ukrainë, kumton Shtëpia e Bardhë

Uashington, 27 shkurt 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden ka qenë i qartë se SHBA nuk do të dërgojë trupa për të luftuar në Ukrainë, deklaroi zëdhënësja e Këshillit për Siguri kombëtare Adrien Uotson.

Ajo shton se Bajdeni beson se "rruga drejt fitores" është me dërgimin e ndihmës ushtarake të SHBA-së në Ukrainë e cila për momentin është bllokuar nga Kongresi.

Presidenti francez Emanuel Makron dje deklaroi se vendosja e trupave perëndimore në vendin e sulmuar nga Rusia fqinje "nuk duhet të përjashtohet" në të ardhmen.

Deklarata e Makronit sot shkaktoi një valë komentesh ku një numër i madh i vendeve perëndimore e hodhën poshtë idenë e tij.

“Në BE nuk ka asnjë vendim për dërgimin e trupave në Ukrainë”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Aleanca nuk ka plane për të vendosur trupa në ish republikën sovjetike.

Zëdhënësja e Këshillit për Siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë e bëri deklaratën e saj në margjinat e takimit midis presidentit amerikan dhe liderëve të Kongresit ku është diskutuar mbi çështjet financiare, përfshirë ndihmën edhe për Ukrainën.

Pjesëmarrësit i vlerësuan negociatat si intensive. Sipas liderit të pakicës republikane në Senat, Miç Mekonel të gjithë janë të bashkuar në qëndrimin se është e nevojshme të shmanget një mbyllje e qeverisë federale me çka duhet të vazhdojë financimi i saj.

Presidenti Bajden u tha liderëve të Kongresit se duhet të ndërmarrin "aktivitete të shpejta" për të vazhduar financimin e qeverisë dhe për të shmangur mbylljen e saj. Ai theksoi gjithashtu nevojën urgjente për të ofruar ndihmë shtesë për Ukrainën, kumton Shtëpia e Bardhë.

Për momentin në Kongresin amerikan është bllokuar ndihma ushtarake me vlerë rreth 60 miliardë dollarë për Ukrainën. 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR