• e enjte, 26 dhjetor 2024

SHBA-ja e shqetësuar nga raporti i HRU se rojet kufitare saudite kanë vrarë qindra emigrantë

SHBA-ja e shqetësuar nga raporti i HRU se rojet kufitare saudite kanë vrarë qindra emigrantë

Uashington, Londër, 21 gusht 2023 (MIA) - Autoritetet amerikanë sot kumtuan se janë të shqetësuar nga raporti i Hjuman Rajt Uoç (Human Rights Watch), sipas së cilës rojet kufitare saudite kanë vrarë qindra emigrantë, kryesisht etiopianë, me çka Uashingtoni zyrtar bën thirrje për hetim të rastit, transmetojnë mediat franceze.

“Qeverisë saudite ia kemi paraqitur shqetësimet tona për këto pretendime”, deklaroi zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se “u bëjmë thirrje autoriteteve saudite të kryejnë hetim të plotë dhe transparent dhe të respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare”.

Bi-Bi-Si raportoi sot se "Hjuman Rajt Uoç" në raportin e saj të fundit, akuzoi rojet kufitare të Arabisë Saudite për vrasje masive të emigrantëve përgjatë kufirit me Jemenin.

Në raport theksohet se qindra njerëz janë vrarë, kryesisht etiopianë, ndërsa kalonin Jemenin, një vend i shkatërruar nga lufta për të arritur në Arabinë Saudite.

Disa nga emigrantët këtë e kanë konfirmuar për Bi-Bi-Si duke shtuar se edhe vetë ata janë lënduar dhe se kanë qenë të pranishëm kur u vranë njerëzit. 

Arabia Saudite ka mohuar më parë akuzat për vrasje sistematike.

Raporti i HRU i titulluar "Ndaj nesh hodhën breshëri plumbash", përmban dëshmi eksplicite nga emigrantët se policët dhe ushtarët sauditë kanë qëlluar mbi ta dhe ndonjëherë kanë hedhur mjete shpërthyese ndaj tyre.

Emigrantët për Bi-Bi-Si kanë dëshmuar mbi përpjekjet e vështira dhe të frikshme për të kaluar kufirin gjatë natës, ku në mesin tyre kishte gra dhe fëmijë.

"Të shtënat zgjatën shumë. As që vura re që jam qëlluar, por kur u përpoqa të ngrihem dhe të ecja, nuk munda të ndjeja një pjesë të këmbës sime”, deklaroi Mustafa Sufia Mohamed, (21) për Bi-Bi-Si duke shtuar se ka parë njerëz të vrarë nga grupi i tij teksa kanë kaluar kufirin.

Sipas të dhënave të KB-së, më shumë se 200.000 njerëz në vit përpiqen të arrijnë deri në Jemen nga deti dhe më pas të udhëtojnë për në Arabinë Saudite.

Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë se shumë prej tyre përballen me dënime me burg dhe rrahje gjatë rrugës.

Në Jemen, rrugët kryesore të migrimit janë të mbushura me varre të njerëzve të cilët kanë humbur jetën gjatë rrugës.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR