• e shtunë, 23 nëntor 2024

SHBA-ja dhe Kina i përfunduan bisedimet dyditore për bashkëpunim ushtarak

SHBA-ja dhe Kina i përfunduan bisedimet dyditore për bashkëpunim ushtarak

Uashington, 10 janar 2024 (MIA) - SHBA-ja dhe Kina i kanë dhënë fund dje bisedimeve ushtarake dyditore në Uashington, njoftoi Pentagoni. Ky është angazhimi më i fundit midis dy vendeve që kur kanë rënë dakord për të ringjallur komunikimet mes dy ushtrive.

Presidenti amerikan XHo Bajden dhe presidenti kinez Ksi Xhinping ranë dakord në fund të vitit të kaluar për të rifilluar angazhimin që ishte ndërprerë nga Pekini pasi kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelosi, vizitoi Tajvanin në gusht të vitit 2022.

Majkëll Çejs, zëvendës ndihmës sekretar i mbrojtjes për Kinën, Tajvanin dhe Mongolinë, u takua me gjeneralmajorin e Kinës, Song Jançao, zëvendësdrejtor i zyrës së komisionit qendror ushtarak për bashkëpunimin ndërkombëtar ushtarak, njoftoi Pentagoni. Takimi shënon bisedimet e 17 Kinë-SHBA për koordinimin e politikës së mbrojtjes.

“Dy palët diskutuan marrëdhëniet SHBA-Kinë në fushën e mbrojtjes. Çejs theksoi rëndësinë e mbajtjes hapur të rrugëve të komunikimit mes dy ushtrive në mënyrë që të parandalohet që konkurrenca të tjetërsohet në konflikt”, thuhet në komunikatën e Pentagonit.

Shefi i Shtabit të Shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Çarls Braun zhvilloi muajin e kaluar një bisedë virtuale me homologun e tij kinez, gjeneralin Liu Zhenli.

Zyrtarët e Pentagonit thonë se komunikimi midis dy ushtrive është thelbësor për të parandaluar një kalkulim të gabuar që të tjetërsohet në konflikt.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se edhe pas rivendosjes së disa komunikimeve ushtarake, do të duhet kohë për krijimin e një dialogu funksional mes dy palëve.

Uashingtoni dhe Pekini kanë mosmarrëveshje për shumë çështje, që nga e ardhmja e Tajvanit të vetëqeverisur në mënyrë demokratike e deri tek pretendimet territoriale në Detin e Kinës Jugore.

Marrëdhëniet diplomatike janë ende duke u përmirësuar pasi SHBA-të rrëzuan shkurtin e kaluar një balonë kineze të dyshuar për spiunazh. 

Këtë fundjavë, Tajvani do të zhvillojë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare mes tensioneve me Kinën, e cila ka pretendime territoriale ndaj ishullit pavarësisht kundërshtimeve të forta nga qeveria tajvaneze. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR