SHBA-ja dhe Kina dakorduan uljen e tarifave për 115 për qind për një periudhë prej 90 ditësh
- SHBA-ja dhe Kina kanë rënë dakord të ulin reciprokisht tarifat me 115 për qind për produktet e importuara për një periudhë prej 90 ditësh, deklaroi sot në Gjenevë ministri i Financave të SHBA-së, Skot Besent, transmeton "Gardian".
- Post By Fami Bajrami
- 12:19, 12 maj, 2025
Gjenevë, 12 maj 2025 (MIA) - SHBA-ja dhe Kina kanë rënë dakord të ulin reciprokisht tarifat me 115 për qind për produktet e importuara për një periudhë prej 90 ditësh, deklaroi sot në Gjenevë ministri i Financave të SHBA-së, Skot Besent, transmeton "Gardian".
Besent në brifingun e sotëm me gazetarët theksoi se të dyja palët treguan "respekt të madh" gjatë negociatave dhe se kanë një interes të përbashkët për tregti të balancuar. Në brifing mori pjesë dhe përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Xhejmison Grir.
Marrëveshja vijon pas bisedimeve të fundjavës midis përfaqësuesve të të dy vendeve, duke shënuar depërshkallëzimin e rëndësishëm të luftës tregtare që filloi muajin e kaluar. SHBA-ja më herët rriti doganat për Kinën në 145 për qind, përderisa Pekini u hakmor me dogana prej 125 për qind për produktet amerikane.
I pyetur për detajet e doganave të reja midis SHBA-së dhe Kinës, Grir sqaroi sot se marrëveshja bazohet në doganat reciproke që SHBA-ja vendosi më 2 prill si dhe në hapat përshkallëzues që të dyja palët ndërmorën pastaj.
Ai thotë se pala kineze dhe ajo amerikane përfunduan me dogana për 125 për qind për importet e njëra tjetrës. "Të gjitha këto tani janë reduktuar me 115 për qind në 10 për qind për secilën palë", thotë Grir.
Në mënyrë shtesë, SHBA-ja vendosi një tarifë 20 për qind lidhur me fentanilin, thekson Grir (kjo është arsyeja pse norma totale e doganave të SHBA-së ishte 145 për qind). Kjo doganë e vendosur nga Donald Tramp për të inkurajuar Kinën që të reduktojë rrjedhën e fentanilit në SHBA, po trajtohet ndaras.
Kështu, dogana reciproke e SHBA-së për importet nga Kina ulet në 30 për qind, në përputhje me marrëveshjen e arritur gjatë fundjavës, përderisa dogana e Kinës ulet në 10 për qind. Megjithatë, ekziston dhe dogana "specifike për sektorin" që SHBA-ja vendos për importet për shembull, çeliku dhe automjetet.
Skot Besent zbulon se "befasia e këndshme për mua këtë fundjavë" ishte shtrirja e përfshirjes së Kinës në krizën e fentanilit në SHBA.
Grir thotë se SHBA-ja ka kaluar dekada në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), duke zhvilluar negociata shumëpalëshe dhe dypalëshe, duke u përpjekur që vendet e tjera të ulin doganat dhe barrierat e tyre jodoganore dhe të bien dakord për më shumë tregti reciproke me SHBA-në.
Premtimi i OBT-së dhe sistemit shumëpalësh ishte se doganat e të gjithëve do të reduktoheshin, tha Grir para gazetarëve në Gjenevë.
"Doli se SHBA-ja kishte ulur ndjeshëm doganat e saj. Ka pasur edhe ekonomi të tjera me dogana të ulëta, por ato kanë mbajtur barriera shumë të larta jodoganore. Ne u përpoqëm shumë të punonim në kuadër të sistemit. Ndërsa rezultati përfundimtar është deficit prej 1.2 trilion dollarë në tregtinë e mallrave, rezultati përfundimtar është se prodhimi është zhvendosur në Kinë, Azinë Lindore, Meksikë", thotë ai.
Skot Besent tha se gjatë bisedimeve kishte një konsensus midis delegacioneve të SHBA-së dhe Kinës se "asnjëra palë nuk dëshiron ndarje të plotë".
Besent shton se SHBA-ja dëshiron tregti më të ekuilibruar dhe beson se të dyja palët janë të përkushtuara për ta arritur këtë.
Shtëpia e Bardhë mbrëmë kumtoi se administrata e presidentit Donald Tramp arriti marrëveshje tregtare me Kinën gjatë bisedimeve të djeshme në Gjenevë, duke i përshkruar ato si "produktive". Në delegacionin amerikan ishte dhe përfaqësuesi i tregtisë Xhejmison Grir, përderisa delegacioni kinez kryesohej nga zëvendëskryeministri He Lifeng.
Besent dje deklaroi se është arritur përparim i rëndësishëm në negociatat, të cilat kanë për qëllim të reduktojnë konfliktin tregtar që mund të shkaktojë dëme serioze në ekonominë globale. Presidenti Tramp, gjithashtu, deklaroi se "progres i madh" po bëhet në bisedimet për doganat midis dy vendeve.
Zëvendëskryeministri He deklaroi se negociatat ishin "të një rëndësie të madhe për të dy vendet, por gjithashtu kanë një efekt të rëndësishëm në stabilitetin dhe zhvillimin e ekonomisë globale". Ai theksoi se të dy palët arritën një sërë konsensusesh të rëndësishme dhe ranë dakord të krijojnë një mekanizëm për konsultime ekonomike dhe tregtare. rq/
Foto: EPA