• e shtunë, 23 nëntor 2024

SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë kryer sërish sulm ndaj Huthëve në Jemen

SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë kryer sërish sulm ndaj Huthëve në Jemen

Uashington, 23 janar 2024 (MIA) - Shtetet e Bashkuara dhe forcat britanike kanë kryer mbrëmë një raund të ri sulmesh kundër objektivave të grupit Huthë në Jemen, kanë bërë të ditur tre zyrtarë amerikanë. Sulmet kundër grupit të lidhur me Iranin, që SHBA-ja e kanë rikthyer në listën e organizatave terroriste, janë mes masave ndëshkuese për sulmet ndaj anijeve të transportit të mallrave në Detin e Kuq.

Sipas zyrtarëve, SHBA-ja dhe Britania e Madhe përdorën raketa “Tomahavk” të lëshuara nga anije luftarake dhe nëndetëse dhe aeroplanë luftarakë për të shkatërruar qendrat e magazinimit të raketave të rebelëve Huthi, dronët dhe sistemet e lëshimit të raketave. Zyrtarët, thanë se Australia, Bahreini, Kanadaja dhe Holanda kontribuan në këtë mision, duke përfshirë edhe me informacione zbulimi dhe vëzhgimi.

Udhëheqësit e grupit Huthi, të cilët kontrollojnë pjesët më të populluara të Jemenit, kanë pohuar se sulmet e tyre janë në solidaritet me palestinezët e sulmuar nga Izraeli në Rripin e Gazës.

Zyrtarët, duke folur në kushte anonimiteti, nuk dhanë hollësi mbi numrin e objektivave të goditura. Në të kaluarën, forcat e SHBA-së dhe ato të Britanisë kanë goditur kryesisht sistemet raketore dhe radarët e grupit Huthi.

Sulmet rebelëve të grupit Houthi ndaj anijeve tregtare kanë ndërprerë transportin global të mallrave, që kalon përmes Detit të Kuq dhe kanë ngjallur frikën e rritjes së inflacionit. Veprimet e tyre gjithashtu kanë rritur shqetësimin se lufta Izrael-Hamas mund të destabilizojë Lindjen e Mesme.

Megjithatë, sulmet e shumta të SHBA-së gjatë muajit të kaluar nuk kanë arritur të ndërpresin sulmet e grupit Huthi ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Anijet me kontejnerë kanë pezulluar lëvizjet në Detin e Kuq dhe kanalin Suezit, rruga më e shpejtë e dergimit të mallrave nga Azia në Evropë dhe anasjelltas. Shumë anije janë detyruar të ndjekin rrugën e gjatë rreth Afrikës përmes Kepit të Shpresës së Mirë për të vazhduar operacionet e transportimit të mallrave. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR