• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

SHBA-ja dhe Britania e Madhe filluan sulme ajrore ndaj huthëve, reagime nga Bajdeni dhe Sunaku

SHBA-ja dhe Britania e Madhe filluan sulme ajrore ndaj huthëve, reagime nga Bajdeni dhe Sunaku

Uashington, 12 janar 2024 (MIA) - Forcat amerikane dhe britanike filluan sulme ajrore ndaj pozicioneve të huthëve në Jemen, njoftuan autoritetet lokale. 

Të dyja vendet paralajmëruan se do të ndjekin sulmet nëse vazhdojnë sulmet me raketa ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Ajo është përgjigja e parë e madhe pasi administrata e presidentit amerikan Xho Bajden dhe aleatët paralajmëruan se grupi militant nga Irani do të përballet me pasoja për sulmet me fluturake pa pilot dhe raketa ndaj anijeve komerciale në Detin e Kuq.

Një përfaqësues zyrtar amerikan, siç informon Bi-Bi-Si, njoftoi se sulmet ishin kryer nga aeroplanë, anije dhe nëndetëse. Ai theksoi se bëhet fjalë për sulm masiv me përdorim të raketave "Tomahavk" të lansuara nga anije dhe aeroplanë luftarakë.

Caqet e huthëve përfshinin qendra logjistike, sisteme për mbrojtje kundërajrore dhe depo për armë, deklaruan persona zyrtarë.

Ky është sulmi i parë amerikan ndaj huthëve në Jemen pasi grupi filloi të sulmojë me fluturake pa pilot dhe projektilë anije mallrash në Detin e Kuq në nëntor. 

Bajdeni konfirmoi se sulmet ishin kryer pas urdhrit të tij kundër "caqeve të shumta në Jemen të cilat i shfrytëzojnë huthët kryengritës që ta rrezikojnë lirinë e lundrimit në një prej rrugëve më të rëndësishme ujore në botë".

Ai deklaroi se sulmet i kanë kryer forcat amerikane "bashkë me Mbretërinë e Bashkuar dhe me mbështetje të Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës". 

"Aksioni i sotëm i mbrojtjes vijoi pas një fushate të madhe diplomatike dhe përshkallëzim të sulmeve të huthëve kryengritës ndaj anijeve tregtare", tha Bajdeni në deklaratën me shkrim. 

Ai shtoi se SHBA-ja dhe aleatët "nuk do të tolerojnë sulme ndaj personelit ose të lejojnë faktorë armiqësorë që ta rrezikojnë lirinë e navigimit në një nga rrugët më të rëndësishtme tregtare botërore".

Ai paralajmëroi për vazhdim të mundshëm të sulmeve, transmeton Si-En-En.

"Nuk do të hezitoj të drejtoj masa shtesë për të mbrojtur popullin tonë dhe rrjedhën e lirë të tregtisë ndërkombëtare sipas nevojës", përfundoi Bajdeni.

Me reagim u prononcua edhe kryeministri britanik Rishi Sunak.

Në deklaratën e publikuar në të njëjtën kohë me atë të Bajdenit, kryeministri britanik thotë se forcat ajrore mbretërore kanë marrë pjesë në sulmet ndaj "objekteve të cilat i shfrytëzonin huthët kryengritës në Jemen".

"Mbretëria e Bashkuar gjithnjë do ta mbështesë lirinë e lundrimit dhe qarkullimit të lirshëm të tregtisë", tha Sunak. 

"Prandaj, ne kemi ndërmarrë veprime të kufizuara, të nevojshme dhe proporcionale vetëmbrojtëse, së bashku me SHBA-në me mbështetje jo-operative nga Holanda, Kanadaja dhe Bahreini, kundër objektivave të lidhur me këto sulme, me qëllim dobësimin e aftësive ushtarake të huthëve dhe të mbrojnë transportin global", shtoi kryeministri britanik.

Sunak i akuzoi huthët për një "seri sulmesh të rrezikshme dhe destabilizuese ndaj anijeve komerciale në Detin e Kuq, duke i rrezikuar anijet britanike dhe anijet e tjera ndërkombëtare, duke shkaktuar shkelje të konsiderueshme të rrugës së rëndësishme tregtare dhe rritje të çmimeve të mallrave".

"Kjo nuk mund të kalojë", paralajmëron Sunak.

Në fund ai u dërgoi porosi huthëve dhe ju bëri thirrje "të ndërprerjnë sulmet dhe të ndërmarrin hapa për qetësim të situatës". fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR