• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

SHBA: Shtatë shtete arritën marrëveshje për kursim të ujit nga lumi Kolorado

SHBA: Shtatë shtete arritën marrëveshje për kursim të ujit nga lumi Kolorado

Los Anxhelos, 22 maj 2023 (MIA) - Shtatë shtete amerikane përgjatë lumit Kolorado, të goditur nga thatësira, arritën marrëveshje "historike" me administratën e presidentit Xho Bajden që të pengojnë probleme me furnizimin e qyteteve të mëdha si Los Anxhelos dhe Feniks, dhe për bujqit.

Sipas marrëveshjes, Arizona, Kalifornia dhe Nevada do të marrin 3,7 miliardë metra kubë më pak ujë deri në fund të vitit 2026, kumtoi sot Ministria amerikane e Punëve të Brendshme. Për 13 për qind konsum më të vogël në tre vitet e ardhshme, ato shtete federale do të marrin rreth 1,2 miliardë dollarë kompensim, njoftoi "Uashington post", duke cituar njerëz të informuar me negociatat.

Pas pothuaj një viti, marrëveshja e përkohshme do të duhej të pengojë që niveli i ujit të bie nën nivelet kritike në liqenet Pauel dhe Mid, rezervuaret më të mëdha të ujit për pije në SHBA.

Rreth 40 milionë njerëz dhe 30 popuj fisnorë varen nga baseni i Kolorados për ujë për pije dhe energji elekjtrike. bsh/

Foto EPA

QËNDRONI TË LIDHUR