SHA EMV-ja fillon ciklin e ri të investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë përmes kredisë së favorshme nga Banka Gjermane KfV
- SHA EMV-ja me kredi të favorshme nga Banka Gjermane zhvillimore KfV po fillon ciklin e ri të projekteve investuese në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Bëhet fjalë për ndërtimin e centralit fotovoltaik elektrik “Manastir 2” dhe për realizimin e fazës së dytë të ndërtimit të parkut të turbinave me erë “Bogdanc”, kumtoi Ministria e Financave.
- Post By Besnik Shuki
- 15:43, 19 dhjetor, 2024
Shkup, 19 dhjetor 2024 (MIA) - SHA EMV-ja me kredi të favorshme nga Banka Gjermane zhvillimore KfV po fillon ciklin e ri të projekteve investuese në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Bëhet fjalë për ndërtimin e centralit fotovoltaik elektrik “Manastir 2” dhe për realizimin e fazës së dytë të ndërtimit të parkut të turbinave me erë “Bogdanc”, kumtoi Ministria e Financave.
Mjetet për këto dy projekte të rëndësishme, në vlerë prej 55 milionë eurove, janë siguruar përmes huasë me garanci shtetërore të nënshkruar nga Ministria e Financave, në kushte jashtëzakonisht të favorshme, me afat shlyerjeje 15 vjet dhe me periudhë grejs të përfshirë prej pesë viteve.
Marrëveshja e huasë është nënshkruar sot nga Moric Reme, drejtor i zyrave të Bankës KfV në Shkup dhe Prishtinë dhe Llazo Uzunçev, drejtor i përgjithshëm dhe kryetar i Bordit Drejtues të SHA EMV-së. Ndërsa, Marrëveshjen e garancisë e nënshkruan ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe drejtori Moric Reme.
“Ne si Qeveri e identifikojmë nevojën e rritjes së prodhimit të energjisë së gjelbër dhe në këtë drejtim është dhënë Garancia për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe njëkohësisht për sigurimin e mjeteve të nevojshme lidhur me financimin e projektit të parkut të turbinave me erë të Bogdancit - faza 2 dhe centralit fotovoltaik 'Manastir 2'. Këto projekte janë pjesë e ciklit të investimeve që po fillojmë dhe mbi të cilin e bazojmë zhvillimin tonë në të ardhmen. Qeveria ka qasje serioze dhe do t’i bëjë të gjitha përpjekjet për realizimin e projekteve që do të kenë vlerë të shtuar për ekonominë”, theksoi ministrja ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Ajo shtoi se cikli i investimeve është përkrahur edhe nga një vlerë e madhe e investimeve kapitale të planifikuara në Buxhetin për vitin 2025.
“Është kënaqësi e vërtetë për mua që pas një kohe të gjatë, SHA EMV-ja po kyçet përsëri në një cikël investimi serioz dhe dinamik. Falë marrëdhënieve të shkëlqyera me Bankën KfV, të cilën e shohim si partnere serioze për përforcimin e stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të Maqedonisë, vazhdojmë ta hapim rrugën drejt një skenari të qëndrueshëm energjetik përmes realizimit të projekteve të reja nga burimet e ripërtëritshme. Me mjete nga partnerja jonë, SHA EMV-ja, tashmë ka realizuar projekte të rëndësishme, ndërsa në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë me ritëm të përshpejtuar drejt realizimit të projekteve të reja”, theksoi Uzunçev pas nënshkrimit të Marrëveshjes së huasë.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Mirosllav Llabudoviq, i cili theksoi se projekti për zgjerimin e parkut të turbinave me erë "Bogdanc" është pjesë e Strategjisë nacionale për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme.
“Realizimi i dy investimeve do ta pasurojë më tej portofolin për burimet e ripërtëritshme të Maqedonisë, do të kontribuojë në stabilitetin e mëtejshëm të sistemit energjetik dhe do të ndikojë në uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike. Këto investime do të kenë edhe përfitime socio-ekonomike sepse do të hapin vende të reja të gjelbra”, theksoi Llabudoviq.
СFV “Manastir 2” do të ndërtohet në tokë të rikultivuar në kuadër të TEC “Manastir” dhe do të ketë kapacitet të instaluar prej të paktën 50 MW. Pritet që ky central elektrik të prodhojë rreth 80 - 90 GWh energji elektrike në vit, që është i mjaftueshëm për nevojat për më shumë se 20 mijë amvisëri. Investimi prej 47.3 milionë eurove do ta ulë emetimin e dioksidid të karbonit për 63.300 tonë në vit, duke sjellë përshpejtim të dekabornizimit në sektorin energjetik. Sipas projektit për zgjerimin e parkut elektrik të turbinave me erë “Bogdanc” në lokacionin ekzistues të parkut, ku momentalisht është në funksion me 16 turbina, me fuqi prej 36.8 MW, do të instalohen edhe katër turbina me erë me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 13.6 MW, me ç’rast do të kompletohet plotësisht kapaciteti i përgjithshëm i instaluar prej rreth 50 MW.
Drejtori i zyrave të KfV-së në Shkup dhe Prishtinë, Reme theksoi se Gjermania dhe KfV-ja mbështesin kapacitetet e prodhimit energjetik të gjelbër në vend në 20 vitet e fundit.
“Jemi krenarë që mundemi edhe më tutje të vazhdojmë t’i përkrahim përpjekjet e Qeverisë dhe EMV-së dhe të kontribuojmë për krijimin e sistemit energjetik të qëndrueshëm ku përfitimin më të madh do ta kenë qytetarët. Ky do të jetë centrali më i madh publik fotovoltaik në vend dhe padyshim do të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të pjesës së energjive të ripërtëritshme në bilancin energjetik”, tha Reme.
Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler potencoi se “huaja e re gjermane është lajm i mirë për të gjithë ata që kujdesen për qëndrueshmërinë e sektorit energjetik në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
"Në këtë drejtim do t’i ndihmohet vendit në rrugën drejt implementimit të Agjendës së gjelbër të Ballkanit Perëndimor, si dhe largimit nga varësia e infrastrukturës së vjetër të bazuar në qymyr. Mjetet nga huaja do të investohen në centralin fotovoltaik afër Manastirit dhe pjesërisht për zgjerimin e parkut të turbinave me erë në Bogdanc. Këto dy investime do të kontribuojnë në realizimin e pjesës së potencialit të madh të energjisë së ripërtëritshme për të mirën e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksoi Dreksler.
CFV “Manastir 2” dhe zgjerimi i parkut të turbinave me erë “Bogdanc” janë pjesë e planeve afatgjata të shtetit drejt tranzicionit të energjisë së gjelbër. bsh/
Foto: Ministria e Financave