• e enjte, 26 dhjetor 2024

Shërbimet britanike të inteligjencës pohojnë se ka "përforcim të dukshëm" të luftimeve në Ukrainë

Shërbimet britanike të inteligjencës pohojnë se ka

Londër, 6 qershor 2023 (MIA) - Ministria e Mbrojtjes e Britanisë sot informoi për "rritje të dukshme të luftimeve në një numër të madh sektorësh të frontit në Ukrainë në 48 orët e fundit".

Kjo i përfshin "ato vatra që ishin relativisht të qeta për disa muaj", thuhet në tuitin e përditësimit ditor të të dhënave të shërbimeve të inteligjencës për luftën në Ukrainë.

Në kumtesë nuk janë dhënë detaje shtesë dhe as nuk vlerësohet nëse luftimet lidhen me pritshmëritë e kundërofensivës ukrainase kundër forcave ruse të cilat i okupuan disa pjesë të mëdha të vendit.

Ministria, gjithashtu, publikoi se kontesti midis mercenarëve rusë "Vagner" dhe ushtrisë ruse ka arritur "përmasa të mëdha".

"Për herë të parë, pronari i Vagnerit, Evgenij Prigozhin, pohon se armata me qëllim ka përdorur forcë vdekjeprurëse kundër njësiteve të Vagnerit. Pas debatit grupi Vagner gjoja e ka arrestuar komandantin e brigadës së armatës ruse", shtohet në kumtesën e MM së Britanisë.

Autoritetet lokale ruse në rajonin e Bellgorodit sot publikuan se është granatuar qarku Shebekino.

Në mesazhet në rrjetet sociale, banorët janë paralajmëruar që të strehohen në bodrume.

Rajoni i Bellgorodit, që kufizohet me Ukrainën, në disa ditët e fundit disa herë ishte cak i sulmeve.

QËNDRONI TË LIDHUR