• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Sekretari i përgjithshëm i KB-së deklaroi se sulmet ajrore izraelite në Siri duhet të ndërpriten

Sekretari i përgjithshëm i KB-së deklaroi se sulmet ajrore izraelite në Siri duhet të ndërpriten

Nju-Jork, 19 dhjetor 2024 (MIA) - Sulmet ajrore izraelite në Siri paraqeisn shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe duhet të ndalen, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh.

Që nga ofensiva e kryengritësve, me të cilën u rrëzua presidenti sirian Bashar al-Asad në fillim të këtij muaji, Izraeli ka nisur qindra sulme ajrore, për të cilat thotë se kanë për qëllim shkatërrimin e armëve strategjike dhe infrastrukturës ushtarake.

"Sovraniteti i Sirisë, uniteti i saj territorial dhe integriteti duhet të rivendosen plotësisht dhe të gjitha aktet e agresionit duhet të ndalen menjëherë", deklaroi Guteresh për gazetarët.

Trupat izraelite janë vendosur gjithashtu në zonën e demilitarizuar midis Sirisë dhe Rrafshnaltës së Golanit, e pushtuar nga Izraeli. Autoritetet izraelite thanë se ishte një masë e kufizuar dhe e përkohshme për të siguruar kufijtë e Izraelit, por nuk thanë se kur mund të tërhiqen trupat.

"Të jem i qartë: Nuk duhet të ketë forca ushtarake në atë zonë, përveç paqeruajtësve të KB-së, pikë. Izraeli dhe Siria duhet të respektojnë kushtet e Marrëveshjes për ndarjen e forcave nga viti 1974, e cila vazhdon të jetë në fuqi të plotë", tha Guteresh.

Sipas tij, përpjekjet e KB-së synojnë të sigurojnë një tranzicion politik "gjithpërfshirës, ​​kredibil dhe paqësor" në Siri dhe të sigurojnë lëvizjen e ndihmave për të përballuar një nga krizat më të mëdha humanitare në botë. rq/bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR