• e enjte, 03 tetor 2024

Saracin: Vendet e Ballkanit duhet bashkë të shkojnë në tregun evropian

Saracin: Vendet e Ballkanit duhet bashkë të shkojnë në tregun evropian

Prishtinë, 2 tetor 2024 (MIA) - I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin deklaroi se ekonomikisht dhe politikisht Gjermania është në mesin e partnerëve kryesorë të Kosovës, sepse, siç thotë, shteti gjerman beson në të ardhmen dhe potencialin të cilin e ka vendi, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në hapjen e Forumit të Dytë Ekonomik Gjermano – Kosovar të cilin e organizon Oda e Biznesit Gjermano – Kosovar, Saracin tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të veprojnë bashkë në tregun e BE-së

“Atë që dua ta them është se, nëse i shohim mundësitë për rritje ekonomike, jam i sigurt se Kosova ka potencial për inovacione dhe zhvillim. Ekonomikisht dhe politikisht Gjermania është në mesin e partnerëve kryesorë të Kosovës, sepse besojmë në të ardhmen dhe potencialin tuaj”, tha Saracin.

Sipas emisarit gjerman, Kosova duhet të krijojë parakushte për tërheqjen e investimeve të huaja, ndërsa një prej atyre parakushteve është që të punojë në tregun e përbashkët rajonal që mundëson zhvillim.

“Potencialin të cilin e keni në Ballkan mund të shihet në rajon për shkak të popullatës së re e cila nuk dëshiron të presë, por dëshiron të veprojë. Për investime kemi hartë në të cilën ka diçka që quhet rajon. Edhe ne duam që vendet e rajonit bashkë të shkojnë në tregun e BE-së”, tha Saracin.

Ai shtoi se shumë investitorë shkojnë në Serbi sepse duan të bëjnë biznes me gjithë rajonin, diçka që Gjermania dëshiron ta ndryshojë dhe t’i dërgojë investitorët drejt Kosovës. 

“Të gjitha ekonomitë e Ballkanit veçmas nuk janë treg i mjaftueshëm për të ardhur një kompani. Shumë investitorë shkojnë në Serbi sepse duan të bëjnë biznes me rajonin, ndërsa ne duam që kjo të ndryshojë dhe duam që investitorët të vijnë në Kosovë dhe të krijojnë një treg të përbashkët rajonal”, tha Saracin.

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për rajonin tha se ende nuk ka lajme të reja për pjesëmarrjen e Kosovës në Procesin e Berlinit, kur mbeten edhe dy javë nga shënimi i 10-vjetorit të këtij procesi.

Gjermania i bën thirrje Kosovës që ta largojë masën e sigurisë për mallrat serbe, duke e quajtur të kundërt me Marrëveshjen e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA). Para pak kohësh në një deklaratë për mediat e Prishtinës, ambasada gjermane njoftoi se ka afate lidhur me rregullat dhe procedurat e CEFTA-s.

Vetë Saracin gjatë vizitës së fundit në Prishtinë e përmendi mundësinë për përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit nëse Qeveria nuk i largon masat kundër produkteve serbe. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR