• e enjte, 07 nëntor 2024

Sandu: BE-ja duhet të përpunojë "Plan të Marshalit" për Moldavinë dhe Ukrainën

Sandu: BE-ja duhet të përpunojë

Kishinjev, 29 prill 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian duhet ta zhvillojë versionin e vet të "Planit të Marshalit" për Moldavinë dhe Ukrainën, deklaroi sot presidentja moldave, Maja Sandu, cituar nga agjencia e lajmeve Ukrinform.

Sandu këtë e deklaroi në konferencën vjetore për buxhetin e BE-së në Bruksel, lajmëroi Euroaktiv.

"Siç Evropa Perëndimore mori ndihmë ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore me 'Planin e Marshalit' të SHBA-së, ashtu edhe Moldavisë dhe Ukrainës u nevojitet ndihma nga BE-ja", theksoi presidentja moldave.

Sandu, gjithashtu, tha se qëllimi i "Planit të Marshalit" është t'i tregojë "kontinentit të lodhur se kapitalizmi dhe demokracia janë rrugë më e mirë për përpara nga ajo që e ofron komunizmi". Gjithashtu, versioni modern i planit duhet t'u japë "shpresë të ngjashme atyre të cilët janë në rrugën drejt anëtarësimit në BE", sqaroi presidentja moldave.

Ajo disa herë në fjalimin në konferencën buxhetore tha se buxheti i BE-së nuk duhet të sigurojë vetëm financim të projekteve të gjelbra, digjitale dhe infrastrukturore, por duhet të ketë për qëllim mbrojtjen e vlerave që rrezikohen nga "forcat me vizion të errët", për kontinentin evropian.

"Duhet të investojmë edhe në shpëtimin e jetëve, në kthimin e paqes, në mbrojtjen e lirisë në momentet kyçe të historisë", bëri thirrje presidentja e Moldavisë.

Thirrja e Sandusë është e ngjashme me atë që vitin e kaluar e bënë presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe disa vende-anëtare të BE-së, vëren Ukrinform.

"Plani i Marshalit", që siguroi miliarda dollarë për rikuperimin ekonomik të vendeve evropiane pas Luftës së Dytë Botërore, u nënshkrua në vitin 1948 nga presidenti amerikan, Hari Truman dhe u emërua sipas sekretarit amerikan të Shtetit, Xhorxh Marshal. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR