• e enjte, 26 dhjetor 2024

Samiti në Kajro: Liderët arabë dënojnë bombardimet izraelite në Gaza

Samiti në Kajro: Liderët arabë dënojnë bombardimet izraelite në Gaza

Kajro, 21 tetor 2023 (MIA) - Liderët arabë në Samitin e sotëm në Kajro dënuan bombardimet dyjavore izraelite në Rripin e Gazës, duke bërë thirrje për ripërtëritje të përpjekjeve për të arritur një zgjidhje paqësore në Lindjen e Mesme dhe dhënien fund të ciklit disa dekadash të dhunës mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Presidenti palestinez Mahmud Abas tha se palestinezët nuk do të zhvendosen ose dëbohen nga toka e tyre.

"Udhëheqja izraelite duhet të kuptojë njëherë e përgjithmonë se Izraeli nuk mund të përparojë kurrë nëse si shtet bazohet në padrejtësinë. Mesazhi ynë për izraelitët është se duam të ardhme paqësore dhe siguri si për ata ashtu edhe për palestinezët. Ne nuk do të largohemi, nuk do të largohemi", theksoi Abas në Samit.

Mbreti jordanez Abdullah dënoi atë që ai e quajti "heshtje globale" të sulmeve të Izraelit ndaj Rripit të Gazës dhe qasjen indiferente ndaj kontestit izraelito-palestinez. 

"Porosia që bota arabe po dëgjon është se jetët e palestinezëve janë më pak të rëndësishme se jetët e izraelitëve", tha sovrani jordanez, duke shtuar se jordanezët janë të zemëruar dhe të pikëlluar nga aktet e dhunës kundër civilëve të pafajshëm në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Izrael.

Mbreti jordanez Abdullah para pjesëmarrësve në samitin e sotëm në Kajro paralajmëroi se zhvendosja e detyruar ose e brendshme e palestinezëve do të ishte krim lufte.

Kancelari gjerman Olaf Sholc dhe kryeministri britanik Rishi Sunak nuk marrin pjesë në samitin në Kajro, ndërsa Parisi zyrtar nuk paralajmëroi ardhjen e presidentit francez Emanuel Makron.

Presidenti egjiptian Abdel Fatah al Sisi në samitin e sotëm në Kajro deklaroi se ai u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të merren vesh për tu përballur me katastrofën humanitare në Rripin e Gazës dhe për të ripërtërirë bisedimet paqësore midis Izraelit dhe palestinezëve.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh deklaroi në Kajro se dënon sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, duke paralajmëruar se ky akt i dhunës nuk arsyeton "dënimin kolektiv" të banorëve të Rripit të Gazës realizuar nga Izraeli.

Guteresh bëri thirrje që civilët të mbrohen nga sulmet izraelite dhe që të kursehet infrastruktura civile, duke përfshirë spitalet, shkollat ​​dhe objektet e KB-së.

“Izraelitët duhet të shohin se nevojat e tyre legjitime të sigurisë po realizohen, ndërsa palestinezët duhet të shohin se po realizohen aspiratat e tyre legjitime për një shtet të pavarur”, tha Guteresh, duke shtuar se KB-ja po punon gjatë gjithë kohës me të gjitha palët për të siguruar dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, pasi sot kaloi konvoji i parë prej njëzet kamionësh.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR