Samit i SHBA-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut për forcimin e sigurisë ndaj qëndrimeve të Pekinit dhe aktivitetet e Phenianit
- Presidenti amerikan Xho Bajden ka hapur samitin historik me Japoninë dhe Korenë e Jugut në resortin presidencial Kemp Dejvid në shtetin federal amerikan Merilend. Samiti i kushtohet forcimit të sigurisë dhe lidhjeve ekonomike në kohën e rritjes së shqetësimeve shkaku i kërcënimeve të vazhdueshme bërthamore të Koresë së Veriut dhe provokimit kinez në rajonin e Paqësorit.
- Post By Fami Bajrami
- 23:16, 18 gusht, 2023
Uashington, 18 gusht 2023 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden ka hapur samitin historik me Japoninë dhe Korenë e Jugut në resortin presidencial Kemp Dejvid në shtetin federal amerikan Merilend. Samiti i kushtohet forcimit të sigurisë dhe lidhjeve ekonomike në kohën e rritjes së shqetësimeve shkaku i kërcënimeve të vazhdueshme bërthamore të Koresë së Veriut dhe provokimit kinez në rajonin e Paqësorit.
"Vendet tona janë më të fuqishme dhe bota është më e sigurt kur jemi të bashkuar. Dhe e di që ky është një besim që e ndajmë të tre", tha Bajdeni në fillim të një takimi me presidentin e Koresë së Jugut, Jun Sok-Jol dhe kryeministrin japonez Fumi Kishida.
Duke iu drejtuar kolegëve të tij liderë, në atë siç tha, samitin e parë të pavarur të tre vendeve, presidenti amerikan tha: "Dua t'ju falënderoj të dyve për guximin politik që ju solli këtu".
Jun deklaroi se “dita e sotme do të mbahet mend si historike, kur kemi vendosur një themel të fortë institucional dhe përkushtim ndaj partneritetit trepalësh”.
Para bisedës pa praninë e publikut, Kishida tha se “fakti që ne tre liderët jemi bërë bashkë në këtë mënyrë, nënkupton se nga sot po krijojmë një histori të re. Komuniteti ndërkombëtar është në një pikë kthese”.
SHBA, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë rënë dakord për premtimin e ri që detyron të tre vendet të konsultohen me njëri-tjetrin në rast të një krize sigurie ose kërcënimi në Oqeanin Paqësor. Para bisedimeve trepalëshe, Bajdeni u takua ndaras me Jun dhe më pas me Kishidën.
Marrëveshja e re është një nga ato që pritet të shpallet nga liderët në samitin njëditor.
"Mjafton të thuhet, kjo është një punë e madhe", tha këshilltari i Bajdenit për Siguri kombëtare, Xhejk Salivan para fillimit të Samitit. “Është një ngjarje historike dhe krijon terrenin për një Indo-paqësor më prosperues dhe një SHBA më të fortë dhe më të sigurt”.
Samiti është i pari që Bajdeni e mban gjatë presidencës së tij në Kemp Dejvid. Bajden shpreson se do të përdorë pjesën më të madhe të ditës me dy liderët si një mundësi joformale për të forcuar marrëdhëniet e tyre.
Pritet që në deklaratën e përbashkët të Samitit, të tre liderët më në detaje të ofrojnë planet për të investuar në teknologjinë e linjës telefonike për kriza dhe të ofrojnë përditësim mbi përparimin që vendet e tyre kanë arrit në ndarjen e të dhënave për paralajmërim të hershëm rreth lansimit të raketave nga Koreja e Veriut.
Foto: EPA