• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Së paku dhjetë persona kanë humbur jetën në stuhinë Kiaran në Evropën Perëndimore

Së paku dhjetë persona kanë humbur jetën në stuhinë Kiaran në Evropën Perëndimore

Berlin, 3 nëntor 2023 (MIA) - Së paku 10 persona kanë humbur jetën pas stuhisë së fuqishme Kiaran që e ka goditur pjesën e Francës veriperëndimore dhe Anglinë jugperëndimore gjatë natës së kaluar përpara se të lëvizte drejt Holandës, Belgjikës, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, raporton DPA.

Kiaran shkaktoi një vdekje në Holandë kur një pemë ra mbi një person në qytetin juglindor Venrej në afërsi të kufirit me Gjermaninë, njoftoi policia.

Pemët e rrëzuara kanë shkaktuar lëndime të njerëzve në disa vende tjera, mes të cilëve edhe një grua në Hagë, njoftoi policia. Çiklistët ishin goditur edhe nga rënia e degëve dhe pemëve.

Në Francë dy veta kanë vdekur, kurse 15 janë të lënduar, mes të cilëve shtatë zjarrfikës, lajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, Xherald Darmanin. Shoferi i kamionit vdiq kur goditi në drurin e rënë.

Në Avr, një njeri ishte zënë në një shpërthim ere derisa i mbyllte grilat dhe ishte lënduar për vdekje.

Rreth 1,2 milionë familje kanë mbetur pa rrymë, kurse qindra mijëra janë shkëputur nga rrjeti  telefonik celularë.

Erërat në disa rajone arritën shpejtësi edhe deri në 20 kilometra në orë.

Pemët e rëna i kanë bllokuar rrugët dhe linjat hekurudhore. Janë bërë dëme të mëdha.

Per shkak të stuhisë janë anuluar qindra fluturime. Trenat për në dhe nga Parisi gjithashtu nuk funksiononin dhe transporti ishte goditur rëndë.

Erërat e forta dje shpërthyen edhe në malet Harc në Gjermaninë qendrore, ku një grua vdiq pasi që është goditur nga druri që ka rënë, sipas brigadës lokale zjarrfikëse në qytetin Goslar. Gruaja 46- vjeçare nga Bavaria shëtiste në mal me burrin dhe dy fëmijët e vegjël në malin 600 metërsh Ramelsberg në Goslar kur ishte goditur.

Stuhia rrëzoi gjithashtu linjat e energjisë elektrike dhe çoi në mbylljen e pjesshme të dy autostradave në malet Harc, sipas brigadës së zjarrfikësve.

Në rajonin qendror të Toskanës të Italisë, të paktën tre persona kanë vdekur pasi paralajmërimet për motin u vendosën në pjesën më të madhe të vendit.

Prefekti i Toskanës, Eugenio Xhani, tha se dy persona kanë humbur jetën në komunën e Montemurlos, rreth 25 kilometra në veriperëndim të Firences, ku një lum ka dalë nga shtrati. Një person i tretë vdiq në Rosignano në bregdetin e Toskanës.

"Ne kurrë nuk kemi regjistruar kaq shumë shi në vetëm pak minuta," shkroi Xhani në platformën e rrjeteve sociale X herët në mëngjes.

Shiu dhe erërat e forta parashikohen të lëvizin drejt rajoneve jugore të Italisë, njoftoi agjencia e mbrojtjes civile të vendit.

Kiaran  gjithashtu ka goditur mbrëmë Britaninë, Belgjikën dhe Holandën, me ç'rast qindra fluturime janë anuluar.

Pjesa më e madhe e bregdetit verior gjerman dje ishte nën paralajmërim për stuhi përpara mbërritjes së pritshme të Kiaran, sipas Shërbimit meteorologjik gjerman (DWD).

Stuhia ka lëvizur nga La Manshi përmes Anglisë drejt Detit Verior.

Rajoni bregdetar i Detit Verior, Frizia lindore dhe ishulli Heligoland i Detit të Veriut janë veçanërisht të rrezikuar nga stuhia, sipas DWD.

Në Detin Baltik, era e fortë pritet të vazhdojë në pjesën më të madhe, por rrëmbyes më të forta parashikohen nga Flensburg në Fehmarn dhe ishullin Rigen.

Erërat pritet të zvogëlohen gjatë fundjavës, por stuhitë dhe shirat do të vazhdojnë. ss/mb/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR