• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Rute: Rusia është kërcënimi më i madh për sigurinë tonë – Moska ndoshta është e zëshme, por NATO është e fuqishme

Rute: Rusia është kërcënimi më i madh për sigurinë tonë – Moska ndoshta është e zëshme, por NATO është e fuqishme

Bruksel, 18 tetor 2024 (MIA) - Rusia mbetet kërcënimi më i madh dhe më i drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve të NATO-s, ndërsa presidenti rus Vlladimir Putin përdor një retorikë gjithnjë e më të papërgjegjshme, porositi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute në konferencën për media pas përfundimit të takimit dyditor të ministrave të Mbrojtjes të Aleancës, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski.

"Moska ndoshta është e zhurmshme, por NATO është e fuqishme. Në një botë gjithnjë e më të pasigurt është me rëndësi jetike që ne të vazhdojmë të modernizojmë aftësitë tona dhe të stërvitemi së bashku për të mbajtur forcat tona konvencionale dhe bërthamore si të forta", theksoi Rute duke shtuar se qëllimi kryesor i aftësisë bërthamore të NATO-s është ruajtja e paqes, parandalimi i detyrimit dhe frenimi i agresionit.

Ai theksoi se në mbledhjen e sotme të Këshillit Veriatlantik në nivel të ministrave të Mbrojtjes është diskutuar për operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe në Irak.

"Në Kosovë, aleatët vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar se misioni jonë i KFOR-it i ka forcat edhe burimet që i nevojiten për të mbajtur një mjedis të sigurt për të gjithë", theksoi Rute. 

Kur bëhet fjalë për misionin e NATO-s në Irak, sipas Rutes, ajo vazhdon të jetë një kontribues i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe trajnimin e forcave irakiane të sigurisë për të luftuar grupet terroriste, si pjesë e përpjekjeve të Aleancës për një Lindje të Mesme të qëndrueshme, të sigurt dhe të begatë.

Sa i përket Ukrainës, Rute theksoi se NATO punon për të ofruar ndihmë dhe trajnime për sigurinë në vend, për të cilin po krijon një Komandë të veçantë në Visbaden që duhet të bëhet plotësisht funksionale në muajt e ardhshëm.

"Ne jemi në rrugën e mirë për ta përmbushur premtimin tonë dhe t'i sigurojmë Ukrainës 40 miliard euro mbështetje ushtarake. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në anën e Ukrainës, siç kemi qëndruar mbrapa të drejtës së çdo kombi të jetojë në liri, sovranitet dhe siguri", tha Rute. 

Sipas tij, mbështetja e Ukrainës është investimi në sigurinë e përbashkët, pasi shpenzimet që do të shkaktoheshin nëse Putini do të lejohej të ndiqte qëllimet e tij do të ishin shumë më të larta se ato që kërkohen për të mbështetur Ukrainën.

"Lufta e Ukrainës është edhe lufta jonë", theksoi Rute. 

Ai shtoi se forcimi i parandalimit dhe mbrojtjes mbetet përparësi kryesore për Aleancën, pasi detyra e saj më e shenjtë është të garantojë sigurinë e një miliardë njerëzve.

"Kjo është arsyeja pse ne po forcojmë kapacitetet tona industriale të mbrojtjes, po forcojmë zinxhirët tanë të furnizimit, duke investuar në aftësi të reja mbrojtëse dhe duke përdorur teknologji të reja", tha Rute, duke shtuar se në kushtet kur zinxhirët e furnizimit janë gjithnjë e më të prekshëm, NATO duhet të bëhet më e pavarur dhe të jetë e gatshme dhe e aftë për t'iu përgjigjur kërcënimeve në të gjitha fushat dhe në çdo kohë.

Ai gjithashtu njoftoi se ministrat ranë dakord për një nismë të re standardizimi, sepse, siç tha, standardet janë kyçe për aftësinë e aleatëve për të luftuar së bashku dhe për të ulur kostot e mbrojtjes.

"Si pjesë e kësaj iniciative, do ta përshpejtojmë zhvillimin e standardeve të NATO-s, do të përmirësojmë shkallën e zbatimit të tyre dhe do të zgjerojmë fushën e tyre për të përfshirë aftësi të reja inovative ushtarake. Duhet të shfrytëzojmë maksimalisht aftësinë tonë të vetme për të vepruar së bashku, të gjithë 32 anëtarët, sepse kjo është ajo që i jep forcë Aleancës sonë", theksoi Rute. qa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR