Rute: Nuk do të lejojmë një vakum sigurie në BeH si në vitin 1992
- NATO e mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe porosit se Marrëveshja e Paqes së Dejtonit duhet të respektohet si gur themeli i paqes në vend, theksoi sot në Sarajevë sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute.

Bruksel, 10 mars 2025 (MIA) - NATO e mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe porosit se Marrëveshja e Paqes së Dejtonit duhet të respektohet si gur themeli i paqes në vend, theksoi sot në Sarajevë sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute.
"Çdo aktivitet që cenon Marrëveshjen e Dejtonit, rendin kushtetues apo institucionet kombëtare është i papranueshëm. Nxitja e retorikës dhe e aktiviteteve janë të rrezikshme. Ato paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnje e Hercegovinës", theksoi Rute pas takimit me anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, Zheljko Komshiq dhe Denis Beqiroviq.
Rute u bëri thirrje liderëve politikë të Bosnje e Hercegovinës që të marrin përgjegjësinë e tyre për zgjidhjen e problemeve, të cilat, siç tha, do të ndihmojnë për të ecur përpara jo vetëm vendin, por edhe rajonin dhe mbarë Evropën.
"Dëgjoj shqetësime për situatën e sigurisë. Por le të jemi të qartë se ky nuk është viti 1992 dhe nuk do të lejojmë të krijohet një vakum sigurie. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe i përkushtuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fortë", tha Rute.
Ai shtoi se NATO, së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, duke përfshirë Bashkimin Evropian, do të vazhdojë të mbështesë BeH-në në rrugën e saj evropiane dhe euro-atlantike, por se është thelbësore që edhe liderët politikë të vendit të kontribuojnë gjithashtu në këto përpjekje.
"I gjithë rajoni do të përfitojë nga përkushtimi i vërtetë për pajtim dhe paqe të qëndrueshme. Unë ua them të njëjtën gjë të gjithë aktorëve në rajon, tha Rute, duke shtuar se respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të BeH-së, siç përcaktohet me Marrëveshjen e Dejtonit, është thelbësor si për sigurinë ashtu edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit. ls/
Foto: NATO