• e enjte, 26 dhjetor 2024

Rute: Nuk është koha kur, por nëse kandidatët për anëtarësim do të jenë të gatshëm për pranim

Rute: Nuk është koha kur, por nëse kandidatët për anëtarësim do të jenë të gatshëm për pranim

Bruksel, 7 tetor 2023 (MIA) - Zgjerimi i BE-së deri në vitin 2030 do të jetë i mundur nëse vendet kandidate janë gati për anëtarësim deri në atë datë, deklaroi kryeministri holandez Mark Rute.

"Nuk jam shumë dakord me atë datë. Pyetja nuk është se kur vendet do të jenë gati. Pyetja është nëse vendet do të jenë gati", deklaroi Rute, duke komentuar objektivin e zgjerimit të BE-së për vitin 2030 të vendosur nga kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel.

Sipas Rutes, zgjerimi është një proces i mundimshëm, i cili kërkon që kandidatët e anëtarësimit në BE të respektojnë legjislacionin e Unionit për t'u bashkuar me bllokun.

“Nuk duhet të ketë absolutisht asnjë përjashtim kur bëhet fjalë për përmbushjen e kushteve në BE për anëtarësim”, shtoi Rute.

Kryeministri holandez beson se pyetja nëse BE-ja është plotësisht e gatshme të pranojë anëtarë të rinj është gjithashtu e rëndësishme nga perspektiva e zgjerimit.

“BE tashmë ka 27 vende anëtare dhe nëse anëtarësohen më shumë vende, atëherë vendimmarrja dhe të gjitha llojet e gjërave të tjera do të bëhen edhe më të komplikuara”, tha Rute.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, deklarata e Rutes vjen gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Holandë, të planifikuara për në nëntor. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR