• e shtunë, 23 nëntor 2024

Rute: Ngjarjet në Ukrainë kanë ndikim në nivel global

Rute: Ngjarjet në Ukrainë kanë ndikim në nivel global

Bruksel, 13 nëntor 2024 (MIA) - Rajoni euroatlantik dhe Indo-paqësor nuk janë shumë të ndara kur bëhet fjalë për kërcënimet dhe ajo që po ndodh në Ukrainë tani ka ndikim në nivel global, deklaroi sot në Bruksel sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute pas takimit dypalësh me sekretarin shtetëror amerikan Entoni Blinken.

"Ushtarët e Koresë së Veriut paraqesin kërcënim shtesë për Ukrainën dhe do ta rrisin potencialin e (presidentit rus Vlladimir Putin) për shkaktimin e dëmeve", theksoi Rute.

Ai vlerësoi se aktivitetet e ushtarëve të Koresë së Veriut në Ukrainë kanë çmimin e tij, për të cilin Rusia paguan me dërgesën e teknologjisë, duke përfshirë edhe teknologjinë raketore, për Korenë e Veriut, që paraqet kërcënim jo vetëm për anën evropiane të NATO-s, por edhe për territorin amerikan, për Korenë Jugore dhe Japoninë.

Rute shtoi edhe se agresioni rus i ndihmon Kinës, e cila i shmang sanksionet ndërkombëtare dhe me dërgesën e mallrave për Rusinë i ndihmon përpjekjet e saj ushtarake, si dhe Irani me dërgesën e tij të dronëve dhe teknologjisë tjetër, për të cilën Moska i paguan Teheranit dhe me këtë i ndihmon të vazhdojë me përpjekjet e tij për destabilizim  në Lindjen e Mesme.

"Prandaj duhet ta përforcojmë prodhimtarinë mbrojtëse nga ana e SHBA-së dhe këtu në Evropë, duhet të bëjmë më shumë në lidhje me konsumin dhe duhet të bëjmë më shumë për të siguruar se Ukraina do të mbisundojë", theksoi Rute.

Sipas tij, në katër vitet e fundit SHBA i ka ndihmuar NATO-s të bëjë më shumë për rritjen e shpenzimeve mbrojtëse të aleatëve evropian dhe Kanadasë, si dhe për pranimin e anëtarëve të rinj.

"Por, ndoshta kjo është më e rëndësishme, falë lidershipit amerikan, Ukraina arriti të mbisundojë, ndërsa Rusia nuk arriti të fitojë. Është e dukshme se duhet të bëjmë më shumë për të siguruar që Ukraina të mund të vazhdojë me luftën dhe të jetë në gjendje të kthejë sa më shumë që është e mundur dhe ta parandalojë Putinin të ketë sukses", shtoi Rute.

Blinkeni, nga ana e tij, theksoi se presidenti amerikan Xho Bajden në periudhën e kaluar të mandatit të tij ka për qëllim të vazhdojë ta bëjë atë që e bënte në katër vitet e fundit për përforcimin e NATO-s, që, sipas tij, është vendimtare për sigurinë e SHBA-së dhe vendeve evropiane.

"Do ta bëjmë këtë dhe do të vazhdojmë ta mbështesim gjithë atë që po bëhet për Ukrainën, për të siguruar se ajo mundet në mënyrë efikase të mbrohet nga agresioni rus", theksoi Blinken.

Ai shtoi se në takimin me Ruten kishin një diskutim produktiv për mbështetjen e përhershme të NATO-s për Ukrainën në kushte të agresionit të vazhdueshëm rus, për të cilën, siç theksoi, do të bisedohet edhe në mbledhjen e sotme të Këshillit Veriatlantik, si dhe në takimet tjera që do t'i ketë gjatë ditës.

Sipas Blinkenit, prania e ushtarëve të Koresë së Veriut në fushëbetejën në Ukrainë kërkon përgjigje të fortë, për të cilën është e nevojshme që NATO-ja plotësisht ta përforcojë bashkëpunimin e saj me partnerët e rajonit Indo-Paqësor, por edhe anëtarët e Aleancës të vazhdojnë me përforcimin e industrisë së tyre mbrojtëse dhe shpenzimet e tyre për mbrojtjen të drejtohen në përforcimin e kapaciteteve të nevojshme.

"Tani 23 aleatë të NATO-s janë mbi kufirin prej dy për qind të PBB-së për shpenzime në mbrojtje, që është mirë, por duam të kujdesemi që ato shpenzime të fokusohen atje ku është e nevojshme", shtoi Blinken. sa/

Foto: NATO

QËNDRONI TË LIDHUR